Kosova

Ligji për gjykimin e krimeve në Kosovë, pas BE edhe SHBA kritikon Serbinë

Nga Gazeta 'Si' - Departamenti amerikan i Shtetit tha se pajtohet me Bashkimin Europian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it.

Uashingtoni tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ka zhvilluar zgjidhje praktike që promovojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

“Kjo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Një ditë më herët, BE-ja kritikoi Serbinë për ligjin e miratuar më herët gjatë javës nga Serbia, që synon ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parashikon gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

Ky ligj u tha se do të zbatohet edhe për procedurat penale të nisura para miratimit të tij.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se ligjet janë reagim, ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.

Ai tha po ashtu se “nëse do të kishte sundim të ligjit në Kosovë dhe nëse serbët do të kishin ndonjë siguri juridike”, atëherë ligji i propozuar nga Qeveria në Beograd nuk do të ishte i nevojshëm".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë