Gazeta Si - Në seancën gjyqësore të radhës për çështjen “Gërdeci”, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka vijuar të kundërshtojë përgjigjet e dhëna nga ekspertët që kanë përpiluar akt-ekspertimin ekonomiko-financiar, të paraqitur nga SPAK si provë në proces.
Mediu, i akuzuar për "shpërdorim të detyrës", ka këmbëngulur se kompania SAC, që kreu demontim në Gërdec kishte kaluar në të gjithë filtrat e DASH, por edhe të MEICO-s dhe SHISH-it.
Duke folur për akt ekspertizën e tyre, ish-ministri hodhi pikëpyetje mbi konkluzionet e tyre. “Ekspertët bëjnë vlerësime juridike, që janë jashtë tagrit të tyre. DASH nuk vlerëson një kërkesë, por të gjithë dokumentacionin. Ka shumë detaje para se të lejohet përcjellja e teknologjisë ushtarake në Shqipëri”.
Mediu theksoi se, “do hedh dritë mbi çdo përgjigje dhe sens alogjik të ekspertëve. Në raporte e korrespondenca konfidenciale, Meico dhe SHISH kanë vërtetuar besueshmërinë e kompaninë SAC. Mbi 80% e dokumenteve të nevojshme nuk janë studiuar nga ekspertët. Ekspertët bëjnë vlerësime juridike, që janë jashtë tagrit të tyre”.
Mediu thotë se ekspertët kanë bërë përgjigje copy-paste të akt ekspertimit financiar të bërë prej tyre në vitin 2008, kur ndodhi edhe maskara e Gërdecit me 26 të vrarë.
Më 9 tetor, GJKKO rrëzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit.
Sipas SPAK, prej aktit të ekspertimit financiar evidentohen dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e ish-ministrit Mediu, pretendim që është kundërshtuar nga ky i fundit.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.
Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”. Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.
Nga shpërthimi në Gërdec më 15 mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.