Nga Gazeta 'SI' - Debati për kriptomonedhat është rikthyer në Kuvend,.
Në komisionin e Dezinformimit ishte fillimisht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, që përballë pyetjes për licencimin e kriptomonedhave theksoi se ky treg i përket AMF-së dhe jo Bankës së Shqipërisë.
Ai theksoi se brenda kontekstit të BSH-së, nuk ka pasur një rrezik të identifikuar, që lidhet me kriptomonedhat.
Pas tij, në komision raportoi drejtuesja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, që u përball me rezervat e socialistëve, për menaxhimin e tregjeve digjitale.
Fillimisht, drejtuesja e autoritetit, tha se ndonëse kuadri rregullator është plotësuar, nuk ka pasur asnjë kërkesë për licencë aktiviteti. Ajo shtoi se po hartohet një draft i ri, në kuadër të rregullores së re të BE-së, MICA.
Pyetur nga kryetari i komisionit, Erion Braçe për aktivitetin e paligjshëm të kriptomonedhave në Shqipëri, Kaçi tha se ka referuar 10 raste në autoritete, por theksoi se kjo nuk është në juridiksionin e tyre.
“Autoriteti bashkëpunon me organet ligjzbatuese. Jemi përgjegjës për subjektet e licencuara. Kur kemi pasur informacion apo kemi bërë hulumtime, kemi informuar me shkresa organet përgjegjëse.
Ne 3 vite kemi referuar 10 raste për ushtrim të veprimtarive të palicencuara, 9 janë këmbim token-ash dhe 1 është lançimi i një token-i”, sqaroi drejtuesja e AMF.
Socialisti Braçe përsëriti se edhe ky treg ka rrezik për përgjegjësia e kontrollit të tregut.
“Jemi të interesuar në këtë aspekt, ndërhyrjet kapitale nga vende jo-mike. Aktiviteti po merr përmasë brenda territorit dhe impakton dhe sektorë të tjerë, që ne trajtojmë në komision.
Keni bërë shumë mirë, por 10 raste janë shumë pak. Nëse dalim në këmbë ne tani, shohim pika këmbimi që e vendosin në njoftim. Policia nuk e kupton këtë. Për të kuptuar problemin dhe transaksionin duhet të jetë një institucion i specializuar.
Mua nuk më shkon që agjencitë vijnë këtu e thonë ‘se kam unë’, ‘se kam unë’. Kështu tha edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, kështu tha edhe Banka e Shqipërisë. Na ngelet sektori zbuluar”, u shpreh kryetari i Dezinformimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.