Nga Gazeta 'SI' - Turi i takimeve të qeverisë me pensionistët ka zënë sot vend në Durrës, nga ku kryeministri Edi Rama u shpreh se pensionistët janë e vetmja kategori që nuk kanë përfituar nga rritja ekonomike.
Kryeministri tha se pensionet rriten nga kontributet dhe premtimet “nga ballkoni” për pensione 1 mijë euro, nuk mund të jenë të mundura.
“Në këtë kohë që jetojmë edhe ne si pjesë e kësaj bote, po kjo bota jonë është akoma më e ngarkuar nga llumi edhe nga ujërat e zeza të kanaleve mediatike të ekraneve ku çfarë nuk dëgjon, por ajo që rrallë e dëgjon është e vërteta edhe rrallë dëgjon të flitet për fakte e çështje që janë vërtetë të rëndësishme për njerëzit, siç janë çështjet e pensioneve, për të cilën po të hapësh televizorin dëgjon lloj lloj sharlatanësh që premtojnë lloj lloj çudish dhe ndërkohë ngrenë lloj lloj akuzash e prandaj është e rëndësishme të flasim drejtpërdrejt e t’i komunikojmë gjërat drejtpërdrejt në bazë të fakteve. Pse na është dashur 10 vite që ta bëjmë si rritja e pagave? Pensionet rriten nga kontributet, sot secili prej jush merr nga fondi i kontributeve të atyre që janë në punë.
Ky fond është i pamjaftueshëm për 1100 arsye me të shkuarën dhe të tashmen. Pensionet janë investimi sot për 10-40 vjet i kujtdo që është në punë. Trashëgimia jonë është e tmerrshme, pasi në fillimit e këtij procesi kemi pasur një katastrofë shkatërrimi me ndërmarrje kooperative dhe kemi pasur dalje masive pensioni në moshë të re dhe kjo ka rritur numrin e pensionistëve. Kontribuesit të vendosen në një raport jo të drejtë me ata që përfitojnë kontribut. Deri në vitin 2014 kur bëmë reformën e parë të pensioneve, Shqipëria ishte kundër të ardhmes, me një pension tavan 100 euro. Puna në të zezë ishte dominante. Ne hoqëm tavanin dhe të gjithë ata që dalin në pension nga 2014 e këtej, kanë pension më të lartë” u shpreh Rama.
Rama u shpreh se sot po merren para nga taksat, që duhet të shkonin për shkolla dhe kopshte, për të mbushur deficitin nga skema e sigurimeve shoqërore që shkojnë për pensionet.
“Koha të bëjmë këtë diskutim sepse është koha kur jemi në kushtet që ekonomia jo vetëm po rritet, por po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Të gjithë kategoritë e tjera kanë përfituar e po përfitojnë.
Vetëm pensionistët nuk kanë përfituar nga rritja ekonomike. Taksat janë të fëmijëve, sigurimet shoqërore janë të fëmijëve. Taksat nuk janë për të paguar pensionet, por kur ndodh që kontributet janë më pak se sa duhet, i marrim nga taksat. Ia marrim të ardhmen për t’u garantuar pensionistëve pagat. 500 mln gropa që duhet të mbushim çdo vit. Ju kujtohet një që tha do ju japim gjel për vit të ri, sot këndon si gjysmagjel në majë të penxheres. Ai ju jepte gjysma gjel, ne e bëmë një bonus 50 euro për çdo pensionist”, tha kryeministri.
Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe u shpreh se në 2025-n, indeksimi i pensioneve do të ndodhë në prill dhe jo në tetor. Nga përllogaritjet e qeverisë, ndërhyrjet për skemën e pensioneve do t’i kushtojnë shtetit 770 mln euro.
“Të gjitha pasojat kanë ardhur nga keqqeverisja dhe politikat e gabuara shumë kohë para se ne të merrnim mandatin në 2013. Duhet të punojmë sot për të metobalizuar atë që ka ardhur nga tranzicioni. Ndërtuan një skemë kafaz me tavanin e shumës që mund të merret pensioni, me maksimumin jo më shumë se dyfishi i pensionit minimal. Sot kemi një treg pune që ofron pak më shumë se një pagë për një pensionist, që është e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për skemën e pensioneve. Ndaj investohemi tek puna, sepse nuk rritet raporti, deficiti do të vijojë të mbetet i lartë. Sfidë tjetër është dhënia fund e peripecive, mbi 40 mijë në 2025, do ju njihen pa gjyqe vitet e punës të para 1994. 770 mln euro për 2025 vetëm që të mbajmë ritmin në të mirë të pensioneve. Është e gjitha në ngarkim të buxhetit të shtetit”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.