Gazeta Si - Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur në sekuestro një apartament në Vlorë në pronësi të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kuadër të hetimeve që kanë të bëjë me abuzimet me fondet e "SASPAC".
Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7 m2, të ndodhura në zonën e Lungomares, dhe që janë vendosur të gjitha nën sekuestro preventive.
Sipas SPAK, kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj, nuk rezultojnë të jenë deklaruar nga Beqaj apo personat e lidhur me të.
“Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me venddodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim Ilir Beqaj”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Apartamenti, në muajin korrik është kontrolluar nga agjentët e BKH, nga ku janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.
Sipas SPAK, kjo pronë dhe shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të.
Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e Ilir Beqajt dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.
Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F., (lidhje e ngushtë shoqërore e Ilir Beqaj) dhe A.B., (bashkëshortja e Ilir Beqaj).
"Pavarësisht këtij fakti, ka rezultuar se Ilir Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019. Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës", - thekson GJKKO.
Ish-ministri Ilir Beqaj është i arrestuar për abuzimet me fondet e SASPAC për periudhën kur ka qenë drejtues i Agjencisë së Koordinimit të Fondeve të Huaja.
Bëhet fjalë për abuzimet me të paktën 8 prokurime, mes të cilave një tender për ceremoninë e mbylljes së turizmit të qëndrueshëm, ku fondi i vënë në dispozicion ishte shumë i lartë.
Sipas SPAK, kjo festë është zhvilluar në restorantin ku Beqaj dhe gruaja e tij ka pasur 15% të aksioneve, të cilat më pas i ka shitur apo dhuruar.
Hetimi për zbulimin e kësaj skeme nga SPAK nisi paralelisht me dosjen e sterilizimit ku ish-ministri i Shëndetësisë është gjithashtu në akuzë për shpërdorim detyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.