Drejtësia

Dyshohet për ‘shkelje të barazisë në tendera’, deputeti i PS, Plarent Ndreca thirret në SPAK të njihet me akuzën

Gazeta Si - Deputeti i Partisë Socialiste dhe nënkryetari i Komisionit Hetimor për çështjen e “Sterilizimit”, Plarent Ndreca është thirrur të paraqitet në SPAK.

Sipas burimeve, deputetit Ndreca pritet t'i komunikohet akuza e "shkeljes së barazisë në tenderë" pas përfundimit të raportit të KLSH për rikonstruksionin e disa komisariateve të policisë, vepër që dyshohet të jetë kryer teksa Ndreca mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.

Akuza Ndrecës do t'i është komunikuar për “Shkelje të barazisë në tender”, ndërsa bashkë me të, do t'i komunikohet edhe disa zyrtarëve të tjerë, si dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Sipas burimeve paraprake, KLSH, gjatë kontrollit ka gjetur mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë