Kosova

Komandanti i KFOR-it me Kurtin: Dialogu me Serbinë, platforma e vetme për çështjet e pazgjidhura

Nga Gazeta 'Si' - Komandanti i ri i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dialogu me Serbinë është platforma e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.

Gjatë takimit me Kurtin, Barduani tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është po ashtu platforma e vetme “për të arritur zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve, dhe kjo është kyç për sigurinë afatgjate në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, njoftoi një zëdhënës i misionit të KFOR-it.

Barduani po ashtu tha se është i përkushtuar në zotimin e tij për të promovuar unitetin e përpjekjeve me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinim dhe të zvogëlohet mundësia e veprimeve që mund të çojë në tensione".

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe KFOR-i.

Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë