Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama ka nisur sot konsultimet me bizneset mbi ‘goditjen’ e evazionit fiskal dhe njoftoi se do të ketë masa të reja monitorimi për mosdeklarimin e pagave apo të ardhurave.
Rama tha se me anë të Inteligjencës Artificiale do të monitorohet çdo transaksion dhe bizneset nuk do të kenë më mundësinë të shmangin fiskalizimin apo të deklarojnë pagat e punonjësve sa "të duan".
“Kur bëhen krahasimet me rajonin, rajoni është më afër pagës reale dhe shumë larg nga paga reale kur dalim atje me ato paga. Pagat reale në Shqipëri janë njësoj si vende më të zhvilluara të rajonit si Serbia por në deklarime dalim poshtë. E dini që kemi bërë një fazë të parë të evolucionit dixhital me fiskalizimin. Ama kemi gjetur edhe ilaçin dhe bizneset se truket me fiskalizimin s’do të funksionojë. Sepse ka dalë AI, një sy që kam çdo hile. Dhe të gjitha transaksionet do të kalojnë nëpërmjet atij syri, dhe nuk është një sy si Inspektorit të tatimeve. Inspektori i tatimeve sheh aq sa do, dhe ka një veti që nuk she fare kur do ta shkelësh. Ky syri inteligjent artificial që është duke u futur në mesin tonë do të na ndihmojë për të kuptuar kush gënjen, kush herë e shtyp dhe kush nuk e shtyp kasën fiskale. E dyta, do të na ndihmojë për bizneset që janë shembull në zbatimin e ligjit, nuk do të shohin më asnjë inspektor në derë. Do të vëzhgojë çdo transaksion, lëvizje parash edhe kur të jeni duke fjetur . Do të japë raportin që ky biznes ska nevojë për inspektim, është në rregull. Ne nuk do t’I pranojmë më deklarimet e pagave siç doni ju”, tha Rama.
Bashkë me përfaqësues të tjerë të kabinetit, kryeministri rikujtoi se mosdeklarimi i pagës është “vjedhje” e pensionistëve, pasi janë kontribute të munguara për to dhe paralajmëroi se bizneset që nuk deklarojnë pagesat do të përballen me masa të rënda.
“Ne kemi detyrimin si qeveri të bëjmë çmos që jeta e tyre të jetë sa më e qetë, që kushtet e jetës së tyre të përmirësohen sa të jetë e mundur dhe ata që krijojnë punë në këtë vend që janë sipërmarrjet dhe që paguajnë për punën, kamë detyrimin që çdo qindarkë, të çdo pagese, për çdo person që i takon pensionistëve, tu shkojë pensionistëve. Ky është detyrim i çdo kujt që merr një pagë, e ndërkohë që në sektorin publik ky detyrim është i përmbushur se nuk varet nga sjellja e personit që paguhet, po derdhet në arkën e sigurimeve shoqërore. Nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat. Kemi një problem të madh me deklarimin e pagës reale. Një problem shumë i madh që ne jemi shumë të vendosur ta adresojmë dhe të mos presim përmirësimin gradual, por të kërkojmë përmirësim të shpejtë dhe një adresim të shpejtë. Besoj se kompanitë nuk do jetë nevoja të vihen në presionin e masave të rënda administrative, dhe me gjasë edhe penale për grabitjen e pensioneve. Kjo është grabitje. Është fjalë shumë e rëndë, është një turp shumë i madh, është një sjellje që ka marrë statusin e vijës së sjelljes në shumë biznese, me një mungesë përgjegjshmërie që jam i sigurt që kur u thua grabitje mund të ndihen të fyer, por kjo është grabitje”, u shpreh kryeministri Rama.
Pas tij, fjalën e mori ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe, i cili tha se barra e goditjes së evazionit nuk duhet t’i mbetet vetëm administratës tatimore, por të gjithë shoqërisë.
“Masat e tatimeve nuk mund të jenë e vetmja armë për të luftuar këtë armë dhe këtë problem të madh që kemi. Ka shumë rëndësi puna me ndërgjegjësimin, që të kuptojmë realisht se çfarë rëndësie kanë këto sjellje, këto veprime dhe aktorët nga të cilat kryhen. Duhet të kemi një angazhim më të madh për të bërë ndërgjegjësim shumë të madh sa i takon këtyre fenomeneve. Problematike është edhe pagesa me para në dorë, efektet ndihen direkt në ekonomi. Po ndërtojmë një plan pune, që të kemi ndërhyrje strategjike. Është një bashkëpunim mes punonjësit dhe punëdhënësit, që dëmton skemën totale të ekonomisë sonë. Ka shumë rëndësi që ne të kuptojmë se çfarë rëndësie kanë këto veprime, ne duhet të kemi një angazhim më të madh për një ndërgjegjësim më të madh për këto”, tha ministri Gonxhe duke shtuar se po punohet për një masë planesh për të formalizuar sektorin gri dhe sektorin e zi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.