Ekonomi

BSH e shqetësuar për rritjen e kredisë, bankat tregtare s’e përfillin

Nga Gazeta ‘SI’ – Edhe pse Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar për zgjerimin e shpejtë të kredisë, bankat tregtare kanë shtuar aktivitetin e tyre.

Një anketë e BSH-së, tregon se bankat tregtare dhanë më shumë kredi për individë gjatë tremujorit të tretë të 2024-s, duke vlerësuar një rritje të aftësisë paguese të tyre dhe një historik të mirë të punësimit. Përveç një banke të vetme, të gjitha bankat e tjera i lehtësuan kushtet e kredisë për konsumatorët. Kjo bankë shfaqi tolerancë më të ulët ndaj rrezikut dhe shtrëngoi termat kreditues si për blerjen e banesave ashtu dhe për kredinë konsumatore.

Faktori kryesor i kësaj strategjie është konkurrenca në treg, thotë Banka e Shqipërisë.

Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e tretë, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit. Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Në drejtim të kundërt me to ndikuan besimi konsumator dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave. Faktorët e tjerë patën ndikime minimale.

Në tremujorin e katërt të vitit, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave.

Për bizneset, kreditimi u bë më i lehtë nga bankat, duke vlerësuar kosto më të ulëta dhe një rrezik më të ulët ekonomik.

Kërkesa për kredi e bizneseve – në linjë me pritjet e një tremujori më parë – u raportua më e lartë. Kërkesa më e lartë për kredi ishte e pranishme në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në financimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet. Në gjykimin e bankave, përmirësimi i mëtejshëm i tablosë makroekonomike nxiti kërkesën më të lartë për kredi, për të dytin tremujor në radhë.

Nivelet e larta të likuiditetit të disponuara nga bizneset vijuan të mbeten faktor frenues i kërkesës për kredi, por nevojat e shtuara të bizneseve në financimin e inventarëve dhe të kapitalit qarkullues, si edhe të investimeve të planifikuara mbështetën kërkesën në rritje për kredi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë