Gazeta Si - Ish-presidenti i vendit dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është arrestuar me urdhër të SPAK pak pas mesditës së kësaj të hëne.
Sips burimeve, Meta ndodhej afër qendrës tregtare “Casa Italia” në Tiranë në momentin e ekzekutimit të urdhrit të SPAK dhe ka bërë rezistencë ndaj agjentëve të BKH, të cilët e kanë tërhequr me forcë nga makina, sipas videos të publikuar nga Gazetasi.al.
Ndërkohë, SPAK ka dhënë masë sigurie “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin, ish-bashkëshorten e Ilir Metës, edhe ajo e përfshirë në hetimin pasuror me kreun e PL.
Përveç arrestimit të Metës, masë “detyrim paraqitje” është lëshuar edhe për Ema Çokun, ndërsa ndaj biznesmenit Pirro Xhixho, babai i deputetes Erisa Xhixho, njëkohësiht zv.presidente e Partisë së Lirisë, vendosur masa “arrest në shtëpi” në mungesë.
Sipas burimeve paraprake, Meta është vënë në pranga me urdhër të tre prokurorëve të SPAK, Sotir Kllapi, Altin Dumani dhe Erjon Çela për hetimet e dosjes "CEZ-DIA", "pastrim parash" dhe "mosdeklarim pasurie".
Vepra penale e "korrupsionit pasiv" dënohet nga 5 deri në 12 vjet burg, "pastrimi i parave" po ashtu është një vepër që dënohet deri në 10 vite burg, ndërsa vepra penale e "fshehjes së pasurisë" dënohet deri në 5 vite burg.
Deri më tani nuk ka informacion mbi akuzën zyrtare ndaj kreut të PL-së. Megjithatë, Meta është paraqitur më parë në dyert e SPAK, ku ka folur për dosjen "CEZ-DIA. Po ashtu në vitin 2022, Meta është kallëzuar në SPAK ndaj ish-deputeti Halit Valteri.
Meta ka qenë disa herë në SPAK ku është pyetur për llogari të një hetimi në lidhje me një pagesë të bërë për lobim në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur prej kohësh një hetim pasuror ndaj tij dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar më herët të paktën 3 procedime penale që kanë bazë kallëzime të bëra nga qytetarë, por edhe persona të tjerë që lidhen me ish-presidentin e vendit Ilir Meta, por edhe Kryemadhin.
Kallëzime të cilat janë përkthyer në procedime të regjistruara për çështje të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Pak orë para se të vihej në pranga pranë qendrës tregtare “Casa Italia”, Meta kishte njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale, një konferencë për mediat që do të mbahej në orën 13:40 në selinë e Partisë së Lirisë.
“Të dashur miq, ju ftoj të gjithëve, sipas mundësive të më ndiqni live në ora 13:40 në një konferencë për mediat”, shkruante Meta në një postim në Instastory.
Meta pas arrestimit është shoqëruar në furgonin e policisë nga disa efektivë. Ndërkohë jashtë ambienteve të policisë ishin disa simpatizantë të tij, të cilët i kanë shprehur mbështetjen teksa ai kalonte me makinën e policisë.
Mësohet se Meta ka qëndruar 90 minuta në ambientet e Policisë së Tiranës. 30 minutat e para ai ka qëndruar vetëm me oficerët e Policisë Gjyqësore ndërsa më vonë i është bashkuar avokati i tij ku ka qëndruar 1 orë. Aty i janë komunikuar akuzat dhe masa e sigurisë.
Meta do të qëndrojë mbrëmjen e sotme në bllokun e sigurisë deri kur të dalë para gjykatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.