Drejtësia

Goditën me shishe në fytyrë blogeren, motrat Berisha i shpëtojnë burgut dhe kërkojnë ndjesë e mëshirë

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka liruar Mariela Berishën, duke caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ka lënë të pandryshuar masën “detyrim për paraqitje” për motrën e saj, Antonela Berisha.

Në dëshminë e tyre, ato kanë kërkuar falje për gjestin, ndërsa Antonela Berisha, ka thënë se e motra e saj, Mariela, është provokuar nga Klea Prenga para ngjarjes së rëndë.

Antonela ka theksuar se kërkon të normalizojë marrëdhëniet me modelen. Ndërsa Mariela Berisha, ka shtuar se po kalonte një situatë të vështirë psikologjike pas një bashkëjetese, duke kërkuar mëshirë.

Antonela Berisha: “Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qenë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjendje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës.”

Mariela Berishën: ”Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmijë 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë.”

Dy motrat Berisha u vetëdorëzuan në ambientet e policisë dy ditë më parë, pasi para disa javësh kanë dhunuar brutalisht në një lokal blogeren Klea Prenga.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fund të muajit gusht në një restorant te “Kodra e Diellit”. Dy motrat u afruan te tavolina ku ndodhej 24-vjeçarja Klea Prenga dhe njëra prej tyre i gjuajti me gotë qelqi në fytyrë. Shkak i sulmit fizik dyshohet një lidhje paralele e blogeres me partnerin e Mariela Berishës.

Dy motrat, Antonela dhe Mariela Berisha akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë