Kosova

Kurti tregon çfarë bisedoi me Scholz: Presim dinamikë të re nga Komisioni i ri Europian

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova pret që Komisioni i ri Europian të nisë me një dinamikë të re sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas samitit të Procesit të Berlinit, Kurti u pyet për kërkesat e tij sa i përket dialogut, pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi dinamikë të re në këtë proces që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

“Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Millan Radoiçiç, që vrau rreshterin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paralimitar i terroristëve që ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit të Kosovës. Kërkojmë që letra e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiçit të tërhiqet, meqë me atë letër ajo është tërhequr nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Njëkohësisht ajo që jemi marrë vesh, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatim të nënshkruhen sepse nënshkrimi është garanci ligjore”, tha Kurti për gazetarët.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj. Por, nëpërmjet një letre dërguar në Bruksel në dhjetorin e vitit 2023 nga kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiç, Beogradi shprehu rezerva për këtë marrëveshje.

Në letër, Bërnabiç ka thënë se Marrëveshja është e pranueshme për Serbinë vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës. Aty, po ashtu, thuhet se Beogradi nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara apo në mekanizma dhe në agjenci që ekzistojnë në kuadër të OKB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë