Drejtësia

Skemë mashtrimi / I shkaktuan shtetit dëm 127 milionë lekë, nën akuzë 4 biznesmenë ndërtimi në Fushë Krujë. Një në pranga, 3 nën hetim

Gazeta Si - Katër biznesmenë ndërtimi në Fushë-Krujë janë nën hetim, një është arrestuar dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kishin ngritur një skemë mashtrimi me TVSH-në. 

Në një njoftim të policisë, në pranga kanë rënë, Indrit Allamani, kurse në kërkim janë Indrit Visha, Redion Sefa e Lovjano Topi.

Ndërsa janë lënë në "arrest shtëpie", Albana Paja, "detyrim paraqitje" për Brikena Çela e Aldo Myftari. 

Katër firmat e ndërtimit akuzohen se i shkaktuan shtetit 127 milionë lekë dëm. Sipas prokurorisë Allamani, Visha, Sefa e Topi me firmat e tyre kryen 448.6 mln lekë shitje fiktive.

Policia ka zbatuar masat e Gjykatës dhe urdhrat e Prokurorisë për 4 persona, kur 3 të tjerë u shpallën në kërkim. Policia bëri me dije se janë ekzekutuar masat për Albana Paja, 36 vjeçe, banuese në Krujë, "arrest në shtëpi", Brikena Çela, 34 vjeçe, banuese në Fushë-Krujë, “detyrim paraqitjeje”, Aldo Myftari, 34 vjeç, “detyrim paraqitje" dhe Indrit Allamani, 48 vjeç, “arrest me burg”.

Nga analizimi i të dhënave të deklaruara si shitjet totale për çdo subjekt, është kryer llogaritja e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe Tatimi Fitimi për çdo subjekti, dhe ka rezultuar në total një dëm i shkaktuar ndaj shtetit në vlerën 127,551,874 lekë.

Prokuroria informon se: “Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka verifikuar shitjet e subjektit “R S”, i cili ka vetëdeklaruar në vlerë total shitjeje prej 286,301,702 lekësh për periudhën Dhjetor 2023 dhe subjektit “L”, që ka vetëdeklaruar një total shitje 162,302,300 lekë gjatë Dhjetorit të vitit 2023. Në total, këto subjekte kanë kryer shitje që përllogaritet në 448,604,002 lekë, vlera për të cilat Prokuroria dyshon të jenë fiktive dhe janë faturuar te subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit “3D C” dhe I.V FP.”

Pas hetimeve të kryera Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për caktimin e masës “arrest me burg” për katër shtetas të cilët drejtonin bizneset me adresë në Fushë-Krujë, ndërsa ka kërkuar “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për tre shtetas/se të tjerë.

Gjithashtu grupet hetimore kanë kryer verifikimet e pajisjeve dhe automjeteve që zotëronin shoqëritë e ndërtimit nga ku ka rezultuar se subjekti “3D C” kishte në pronësi vetëm automjete luksoze, Mercedes benz AMG 63, Mercedes benz AMG GT 43, PorscheCayenne, Land Rover apo BMW X5. Asnjë prej këtyre automjeteve nuk përdoret për aktivitetin e ndërtimit.

“Nga 7 masat e sigurisë, “arrest me burg” janë ekzekutuar 4 prej tyre pasi 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

“Arrest në burg” për shtetasin I. A., 48 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Arrest në shtëpi” për shtetasen A. P., 36 vjeçe, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Detyrim paraqitjeje” për shtetasin A. M., 34 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Detyrim paraqitjeje” për shtetasen B. Ç., 34 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të këtij operacioni, u shpallën në kërkim shtetasit I. V., 35 vjeç, R. S., 22 vjeç dhe L. T., 19 vjeç, të tre me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë