Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 7 vite burg për Tire Alldervishin, sanitaren e Sanatoriumit, e cila i mori 8 milionë lekë familjarëve të një pacienteje të sëmurë me Covid 19 në kohën e pandemisë, e cila më pas ndërroi jetë.
Ajo akuzohet për veprën penale, të “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjellë pasoja të rënda.
Ndërkohë bëhet me dije se prokuroria ka kërkuar nga gjashtë vite burgim për infermierët Sheqerije Koci, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj, ato akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria kërkoi 6 vite burg edhe për sanitaren tjetër, Rukije Hoxhaj. Skandali “Tire” u publikua për herë të parë në një emision investigativ dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere familjareve të pacientëve që ishin të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, duke u marrë para në kërkim të shërbimit.
Po ashtu “Tirja” u filmua nga vajza e pacientes, të cilës arriti t’i zhvaste rreth 8 milionë lekë, duke i premtuar se do kujdesej për nënën e saj që ishte me Covid-19.
Por pacientja ndërroi jetë. Procesi gjyqësor është zhvilluar me gjykim të zakonshëm prej vitit 2021, kur u zbulua skema me pacientët me Covid.
Në janar 2021, Tire Alldervishi u arrestua, ndërsa pas 7 muajsh la qelinë me vendim të Gjykatës së Tiranës për zëvendësim të masës së sigurisë në “arrest shtëpie”.
Gjykata pranoi kërkesën e palës mbrojtëse të cilët argumentuan se 58-vjeçarja nuk ka rrezik të prishë provat dhe se gjendja e saj shëndetësore është jo e mirë.
Në rrjetën e përgjimeve për këtë çështje ranë edhe infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela, Gylbra Halilaj dhe sanitarja Rukije Hoxhaj.
Ato u liruan nga Gjykata e Apelit nën masën e sigurisë "detyrim paraqitje" me argumentin që prokuroria duhet të gjente prova dhe fakte bindëse për të provuar se çfarë kanë kryer konkretisht secila prej tyre.
Prokuroria argumentoi se ato kishin krijuar një skemë të mirëfilltë zhvatje në mënyrë që të përfitonin para nga pacientët e sëmurë dhe të afërmit e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.