Gazeta Si - Gjykata e Korçës ka lënë në burg deri në fund të hetimeve, tre dëshmitarët e vrasjes së Egli Progës në Pogradec, Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe.
Të tre akuzohen për kryerjen e veprës penale të moskallëzimit të krimit dhe pengimin e zbardhjes së të vërtetës.
Në seancën për njohjen e masës së sigurisë të tre të arrestuarit mohuan të kenë ndërhyrë në serverin e kamerave të sigurisë.
Avokatët mbrojtës kundërshtuan kërkesën e prokurorisë për "arrest me burg", duke kërkuar masën "detyrim paraqitje", sepse sipas tyre të procceduarit ishin paraqitur rregullisht para oficerit të prokurorisë gjyqësore.
Pamjet e serverit të kamerave të sigurisë së lokalit të Voltan Shulkut janë ekspertuar në Bullgari dhe pritet edhe rekuperimi i tyre.
Gjyqtarja Luljeta Kole ka pranuar kërkesën e organit të akuzës duke i lënë në burg pa afat të tre dëshmitarët okularë të ngjarjes ku humbi jetën Egli Proga.
Të tre të implikuarit janë dëshmitarët kyç të ngjarjes së ndodhur në qytetin e Pogradecit, ku mbeti i vrarë Egli Proga, 42 vjeçari, babai i dy fëmijëve.
Te tre shtetasit pasi janë janë ripyetur nga prokurorja Dhorina Theodhori janë vendosur mbrapa hekurave pasi akuza ka zbuluar prova të reja që i bëjnë fajtorë të tre këta persona pasi sipas prokurorisë kanë dëmtuar rëndë vendin e ngjarjes dhe hetimin e kësaj çështje.
Sipas akuzës, Voltan Shulku pas ngjarjes ka kryer pastrimin e ambientit të lokalit ku ka ndodhur ngjarja duke prishur provat kryesore të hetimit.
Po ashtu, një automjet është larguar nga vendi i ngjarjes nga dëshmitarët, ndërkohë që sipas prokurorisë janë fshirë disa pamje filmike nga vendi i ngjarjes.
Të njëjtat burime shtojnë se prokuroria ka mundur të sigurojë pamje nga kamerat e sigurisë së bizneseve përreth ngjarjes ku humbi jetën 42 vjeçari Egli Proga.
Egli Proga mbeti i vrarë nga goditja me një grusht nga i riu Denis Meçe, aktualisht në burg për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”.
E gjithë ngjarja ndodhi në lokalin e një prej dëshmitarëve pas një konflikti për motive banale mes viktimës dhe autorit të ngjarjes, të cilët rastësisht u gjendën në të njëjtën bar kafe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.