Kosova

LVV bojkoton seancën e jashtëzakonshme për përgjimet Kusari-Radoiçiç. Opozita: BIA serbe na ka depërtuar deri në Gjykatë Kushtetuese

Nga Gazeta 'Si'-Lëvizja Vetëvendosje ka bojkotuar seancën e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për diskutim lidhur me përgjimin në mes të Mimoza Kusari Lilës dhe terroristit serb Moilan Radoiçiç.

Në këtë seancë nuk mori pjesë as Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e në mungesë të këtij të fundit, seanca u udhëhoq nga nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Seanca është thirrur me 40 nënshkrime të deputetëve të opozitës, të cilët kanë përgatitur edhe një rezolutë për hedhje në votim pas debatit.

Kryetari i Grupit të PDK-së, Tahiri ka thënë se duhet të shihet se deri ku ka arritur vendimmarrja e shtyrë nga Milan Radoiçiçi në Kuvend dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit për të hetuar për këtë bashkëpunim.

“Duhet të shihet se deri ku ka mbërritur vendimmarrja e shtyrë nga Milan Radoiçiç. Unë i kërkoj sot prokurorit të Shtetit të ketë një hetim penal për këtë çështje. BIA serbe na ka depërtuar deri në Gjykatë Kushtetuese. Nuk jemi cenuar asnjëherë më shumë se kësaj here. Të vërtetës s’mund t’i ikin. Do të japin përgjegjësi”, tha Tahiri.

LDK, Kusari-Lilës: Nuk mbrohet partia duke rrënuar shtetin

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai e ka detyruar Kusari Lilën që të bëjë marrëveshje të fshehtë me terroristin Milan Radoiçiç. 

“Fajtor është kryeministri juaj Albin Kurti. Nuk e di si ju ka detyruar të bëni marrëveshje të fshehtë me krijesën e inteligjencës se Serbisë”, ka theksuar Quni.

Duke iu referuar shefes së deputetëve të pushtetit Kusari-Lila, ka thënë se nuk mund ta besojë që ajo është përkulur te varri i policit të vrarë në Bansjkë Afrim Bunjaku, duke e ditur se ai është vrarë nga dikush me të cilën ka bërë marrëveshje të fshehtë. 

Haradinaj: LVV-ja është bërë bashkë me Listën Serbe kundër UÇK-së

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se LVV-ja është bërë bashkë me Listën Serbe kundër UÇK-së, ndërsa Kurtit i ka thënë se është spiun i Serbisë. Ai ka shtuar se Kusari-Lila duhet të shkarkohet. 

“Kam qenë në këtë seancë s’kam mund me ju besu syve të mi, hera e vetme që i kam pa një parti shqiptare dhe një serbe të bashkohen kundër veteranëve të UÇK. Ne po i gjuhemi në qafë Kusari lilës me të drejtë se është zbatuese por mos të harrojmë që është vartëse e Albin Kurtit. Kurti është spiun i Serbisë. Nëse më 2018 paska qenë gabim te takohet Radoiçiç i pandjekur nga drejtësia e i papërfshirë në listë të zezë të SHBA, çka është komunikimi me të pas aktakuzës. A ka akt më të rëndë të tradhtisë me u bë bashkë me Listën Serbe kundër UÇK? Ky po lanë borxh. Është i nxënë prej tyre, është spiun i tyre. Më mirë do të ishte të vinte të fliste këtu mos t’ia linte barrën Kusarit."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë