Drejtësia

Falsifikoi dokumentet, dënohet me 1 vit burg këngëtari Luiz Ejlli, fitues i BBV2

Gazeta Si - Këngëtari dhe fituesi i programit Big Brother Vip 2 në Shqipëri, Luiz Ejlli, është dënuar me një vit burg, pasi akuzohet se falsifikoi dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive.

Në një njoftim të Prokurorisë së Fierit, Ejlli akuzohet se kur ushtronte profesionin e noterit ka falsifikuar dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive me prejardhje nga aktiviteti kriminal të shtetasit me iniciale F.A.

Sipas organit të akuzës, Ejllit megjithëse i ishte hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë ende në posedim të vulave të noterit, në bashkëpunim me një tjetër person, kanë krijuar deklaratën noteriale me të dhëna të pavërteta.

Deklarata noteriale e hartuar nga Luiz Ejlli raportohet se ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit.

“U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish noterit L.E. dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme”, informon Prokuroria.

Gjithashtu, Luiz Ejllit, megjithëse i ishte hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë ende në posedim të vulave të noterit, ka krijuar deklaratën noteriale me të dhëna të pavërteta.

Më pas, bashkëpunëtori i Ejllit, në datën 25.02.2022, e ka dorëzuar këtë deklaratë noteriale në ish-Prokurorinë Lushnjë.

Por a do shkojë Luiz Ejlli në burg pas këtij vendimi? Përgjigja është jo. Kjo, pasi dënimi i dhënë sot për këngëtarin nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, nuk është dënim i formës së prerë.

Ejlli do ta apelojë dënimin në Gjykatën e Apelit të Fierit. Do të jetë vendimi i Apelit, ai që përcakton nëse Luiz Ejlli do të qëndrojë në burg apo do të ketë një dënim tjetër alternativ për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë