Nga Gazeta Si - Presidenti Erdogan do të vizitojë Shqipërinë më 10 tetor ku dhe do të marrë pjesë në hapjen e Xhamisë së Namazgjasë. Por, ajo që mbetet e paqartë nga ana e KMSH është se kush do jetë imami që do e drejtojë xhaminë. Ndërkohë CNN turk shkruan se Enes Bastur, i cili këndoi ezanin në 2024 në Turqi, është emëruar imam i xhamisë së Namazgjahut.
Bastur bëri një postim disa ditë më parë ku dha këtë lajm por e fshiu më pas.
LEXO EDHE
- Inaugurohet të enjten Xhamia e Namazgjasë, reagon për herë të parë KMSH: Do administrohet nga një bord me drejtues Myftiun e Tiranës
- 'S'jemi informuar'/ Komuniteti Mysliman s'përfillet në përurimin e Xhamisë së Namazgjasë nga Erdogan. A është caktuar edhe një imam turk?
Ndërkohë, burimet pranë Gazetasi.al thanë se imami dhe stafi i xhamisë emërohen vetëm nga KMSH.
Nga ana tjetër, vetë KMSH, në një reagim zyrtar të bërë ditën e djeshme tha se do përfaqësohet vetëm nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë.
Gjithashtu, në njoftim thuhet edhe se xhamia do të menaxhohet nga të dyja palët, Shqipëria dhe Turqia.
CNN turk shkruan se xhamia do të shërbejë jo vetëm si vend adhurimi por edhe si qendër sociale. Ajo përfshin një qendër kulturore, bibliotekë, sallë ekspozite, sallë konferencash dhe shkollë Kur'ani. Pranë xhamisë do të ngrihet edhe “Muzeu i të jetuarit së bashku”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.