Drejtësia

‘Gërdeci’, GJKKO refuzon Fatmir Mediun për ri-inspektimin e dëmit, ish-ministri: Procesi nuk ka vlerë

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme rrëzoi këtë të mërkurë kërkesën të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për kryerjen e një riekspertimi pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit, e cila u kërkua të merrej për krahasim në lidhje me kostot demontimin që u krye në fabrikën e Gërdecit.

Gjyqtarja Irena Gjoka argumentoi se edhe kjo do të bashkohet me provat e tjera dhe se gjykata do të dalë në një konkluzion. Sipas gjyqtares së çështjes, asnjë provë nuk ka fuqi apo vlerë paracaktuese të provuar.

Avokatët kundërshtonin akt ekspertimin e bërë në vitin 2008, duke e konsideruar si me të meta në përmbajtjen e tij dhe se procesi i demontimit dhe çmilitarizimit është bërë mbi llogaritje jo të vërteta. Shifrat sipas avokatëve të Mediut, kanë përmbajtje të rremë.

Avokatët kërkuan që të merret si provë një ekspertizë private, e përgatitur nga ana e tyre dhe të bëhet pjesë e fashikullit një memo me kundërshtimet e tyre. Seanca e radhës do të zhvillohet në 17 tetor ora 13: 00.

Ish-ministri: Akt ekspertimi është i pavlerë

Në një deklaratë për mediat, ish-ministri Fatmir Mediu tha se ky është një akt ekspertimi i pavlerë dhe procesi është fars.

“Këta ekspertë të famshëm e nxjerrin fitim atë që është humbje. Pa dëm ekonomik nuk ka akuzë për shpërdorim detyre. Po e mbyll këtu, nëse ne paskemi qenë dritë shkurtër siç mendojnë ata të paditur se kush janë fitimet nga demontimi, po partnerët tanë, pse investuan 24 mlna euro dhe u kthyen vetëm, 7 mln euro.

"Asnjëherë demontimi nuk ka qenë me fitim, ne i kemi dhënë predha falas, kemi paguar kostot dhe shpenzimet e transportit. Kjo logjikë është absurde. Shkresa e Poliçanit deklaron se nëse do bëhej në Poliçan, do zgjaste rreth 30 vjet, akoma do vazhdonte demontimi. VKM kishte vendosur për demontimin në 2010, - tha Mediu pas seancës për mediat. - Ka strategji, ka demontim në 2009, këta ekspertët nuk duan t’ja dinë as çfarë ka ndodhur para e as mbrapa. Edhe njëherë dua ta theksoj, akt ekspertimi është i pavlerë. Gjykata është ajo që çmon aktin e ekspertimit, prandaj vazhduam procesin pyetje me pyetje. Nëse kanë interes për të vërtetën, mund ta kishin bërë një akt ekspertimi se nuk duhej as kohë e gjatë".

Sipas tij, "akti i ekspertimit ka më pak se 80% të akteve ligjore, e cila ka qenë një praktikë që ka filluar në vitin 2006. Kur ne kërkuam të bëhej akti i ekspertimit nga se kishte ndodhur shpërthimi, prokurori ka thënë këtë e ka vendosur gjykata. Me keqardhje më të madhe, por nuk ishte e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes”, - u shpreh Mediu.

Akuzat ndak Mediut

Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.

Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln Lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.

Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.  Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.

Nga shpërthimi në Gërdec më 15 mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë