Kosova

Kosova ‘reflekton’, shpëton nga përjashtimi në procesin e Berlinit. Ndryshon masën e sigurisë ndaj produkteve serbe

Nga Gazeta 'Si'- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdare.

Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e shkuar.

Masa e sigurisë më pas u ndryshua duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmë produkteve të nevojshme për prodhim final.

Më vendimin e ri, i cili u është përcjellë të hënën institucioneve përkatëse nga ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Svecla, ndalimi i importimit të këtyre produkteve do të zëvendësohet me "kontroll të detajuar" për maunet që hyjnë nga Serbia.

Lajmin e konfirmoi edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët. Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA-së ndërkaq sot një javë është Samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10-vjetorit, ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.

Gjermania kishte kërcënuar Kosovën me mospjesëmarrje në samitin që mbahet më 14 tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia. Sipas emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë