Drejtësia

I vuri flakën ish-gruas/ Qan në gjykatë Bledar Trëndafili: Jam penduar, ajo më tradhtonte

Gazeta Si - Gjykata e Korçës ka lënë në burg 45-vjeçarin Bledar Trëndafili, i cili dogji me benzinë ish-bashkëshorten e tij Melisa Trëndafili para dy muajsh.

Gjatë seancës, autori është shprehur i penduar, duke qarë, ku ka deklaruar se nuk donte ta bënte atë veprim. Ai ka thënë se ish-bashkëshortja nuk e lejonte të takonte fëmijët, ku ka hedhur akuza edhe për tradhti. Gjatë seancës Trëndafili është paraqitur i rënduar psikologjikisht.

"Jam penduar për atë që kam bërë, por nuk jam në gjendje të them përse shkova në atë akt. Të gjitha këto e kanë rënduar gjendjen time psikologjike madje dhe ditën që ka ndodhur ngjarja kam shkuar për t'i kërkuar të me lejonte të takoja fëmijët", tha ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur 45-vjeçari i kërkoi Melisa Trëndafilit që të dilte nga banesa që kishte marrë me qira. Në momentin që flisnin me njëri-tjetrin, pak metra larg shtëpisë, Bledar Trëndafili i hodhi benzinë 31-vjeçares dhe i vuri flakën.

Ajo përfundoi në spital me djegie të rënda kryesisht në pjesën e fytyrës dhe qafës, ndërsa pas trajtimit në QSUT mjekët thanë se gruaja është jashtë rrezikut për jetën.

Çifti prej 4 muajsh jetonin të ndarë, ndërsa nga Gjykata e Korçës thonë zyrtarisht se nuk ka patur kërkesë për zgjidhje martese. Ata janë prindër të dy fëmijëve të mitur.

Ai u prangos nga policia para 2 ditësh pas disa javëve në arrati dhe akuzohet për vrasje me dashje për shkak të marrëdhënieve familjare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë