Ngjarje

Dëme në banesa e biznese pas përmbytjeve në Vlorë, 33 familjet e evakuuara e kaluan natën në konvikt

Gazeta Si - Moti i keq me reshje të dendura shiu shkaktoi përmbytje në qytetin e Vlorës. Si pasojë e situatës ka pasur dëme të konsiderueshme në disa lagje.

Në lagjen "Karabash", dyert e banesave janë dëmtuar. Ndërkohë rrugët janë bllokuar nga inertet dhe balta. Kjo ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe banorëve.

33 familjet e evakuuara kanë kaluar natën larg banesave të tyre, ndërsa Bashkia e Vlorës i strehoi në konvikt. Bëhet fjalë për të paktën 55 persona në total nga 33 familje.

Report Tv sjell sot pamjet nga situata në qytetin e Vlorës, ku rrugë e lagje janë ende nën ujë. Më problematike situata mbetet në disa lagje, ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagjja 'Kushtrim', lagja 'Rilindja', 'Skela', 'Pavarësia', rruga ‘Hasan Kushta’ rruga "Gjergj Araniti" aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’. Ende nuk ka një bilanc të dëmeve të shkaktuara në biznese e banesa, ndërsa autoritetet vendore pritet të nisin me një analizë.

Çarja e kanalit të ujërave të larta bëri që uji të vërshojë nëpër qytet, lagjet kryesore biznese e banesa duke shkaktuar edhe dëme.

Si asnjëherë më parë, të gjitha rrugët e qytetit u pushtuan nga uji dhe lagjet u bllokuan ku niveli i ujit arriti deri 50-60 cm. Uji, si rrjedhë lumenjsh që kalonte nëpër rrugë, mori me vete çfarëdo i doli para, karriget dhe tavolinat e lokaleve, koshat e mbeturinave duke i spostuar në sheshin e Flamurit.

Gjithashtu qyteti prej disa orësh ka mbetur pa energji elektrike.

Më herët Ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata në Vlorë është drejt normalizimit. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 3 orë atje u regjistruan rreth 180 mm reshje shiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë