Ngjarje

Moti i keq në Vlorë, kryebashkiaku Ermal Dredha: Situatë alarmante, janë evakuaar 30 familje

Gazeta Si - Situatë më problematika në vend pas reshjeve të dendura të shiut, paraqitet në qytetin e Vlorës ku, uji ka vërshuar nëpër rrugë duke krijuar mjaft probleme.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në një prononcim për mediat bëri të ditur se, janë evakuar 22 familje, ndërsa 3 personave u është dhënë ndihmë pasi kishin mbetur të bllokuar.

“Situata vijon të jetë jo ajo që duam. Kjo për shkak të prurjeve të reshjeve të dendura që zgjatën 2 orë e gjysmë pa ndalim, çka  shkaktoi efekt negativ te kanali i ujërave të larta i cili ka dalë jashtë shtratit dhe ka vërshuan jashtë qytetit. Jemi angazhuar me të gjithë njerëzit në terren për të menaxhuar, por situata ka qenë alarmante, megjithatë do mundohemi sa të mundemi. Te Bishti i Kalldrëmit është bllokuar një nga nyjet, po presim skrapin për të hapur kalimin e ujit në këtë zonë”, - tha Dredha.

Sipas tij, të evakuuarit do të vendosen në konviktin e shkollës mjekësore, ndërsa grupet e emergjencave civile janë të gjitha në terren. Ai tha se nga reshjet intensive hidrovori kaloi mbi nivelin e detit për një kohë të gjatë.

“Janë disa lagje që janë afektuar nga këto reshje. Jemi marrë më shumë me evakuimin. Mbi 30 familje që janë evakuaar. Jemi të gjithë në terren me grupet e emergjencave civile për t’i vënë në dispozicion konviktet e shkollës së Mjekësisë. Ka kërkesa nëpër lagje që ne të ndërhyjmë. Hidrovori ka qenë në punë, por me ato nivele reshjesh kaloi mbi nivelin e detit për një kohë të gjatë dhe ishte e pamundur të tërhiqnin në sasinë e duhur. Tani po tërheq në sasinë maksimale dhe shpresojmë të kthehemi në normalitet”, theksoi Dredha.

Moti i keq pritet të vazhdojë deri në mesnatë, ndërsa të shtunën do të ketë një përmirësim të lehtë. Të dielën pritet të rinisin reshjet e shiut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë