Gazeta Si - Laert Haxhiu, i dënuar me burg përjetë si organizator dhe porositës i “Masakrës së Lushnjës”, ka kërkuar heqjen dorë të prokurores Doloreza Musabelli për shkak se sipas tij ka konflikt interesi.
Në seancën e kësaj të premteje në Apelin e Posaçëm, vetë i pandehuri mungoi, por përmes avokatit të tij Detar Hysi, ka parashtruar këtë kërkesë, me pretendimin se bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani kishte deklaruar më herët se do të vriste prokuroren e çështjen. Për këtë arsye Komisioni i Posaçëm, i ka shtuar sigurinë.
LEXO EDHE:
Ekstradohet nga Greqia Laert Haxhiu, i dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjës
Seanca gjyqësore u shty, pasi mungonte gjyqtari Ingert Pëllumbi për shkak të lejes vjetore. Në këto kushte, seanca tjetër do të mbahet me 9 tetor, ora 12:00.
Po ashtu, Haxhiu ka apeluar edhe vendimin e Shkallës së Parë që vendosi burg përjetë në mungesë ndaj tij për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut.
E pranishme në sallë ishte prokurorja Doloreza Musabelli, ndërsa erdhi për herë të parë në këtë seancë kreu i SPAK, Altin Dumani. Gjithashtu gjyqi u ndoq edhe nga babai i Haxhiut.
Laert Haxhiut ka të hapur edhe një dosje tjetër penale të bujshme si grup i strukturuar kriminal, në lidhje me organizimin e disa ngjarjeve të rënda ndër vite, si vrasje, vendosje eksplozivi, plagosje, grabitje, shantazhe dhe të tjera, që është ende në proces hetimor nga ana e SPAK-ut.
Ka qenë i penduari i drejtësisë, Artan Tafani (“ushtar” i Haxhiut), i ndaluar fillimisht për grabitje, ai që rrëfeu të paktën 18 krime të ndryshme, mes tyre 6 vrasje dhe 5 atentate, duke etiketuar si kreun e bandës pikërisht Laert Haxhiun.
Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut më 20 Tetor të vitit të kaluar, duke e klasifikuar si grup të strukturuar kriminal.
Haxhiu u ekstradua nga Greqia tre muaj më parë, (3 korrik 2024), ku ishte arrestuar në një operacion policor në Athinë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se shënjester e këtij atentati ishte Xhulio Shkurt, nipi i Aldo Bares, ish-kreu i bandës së Lushnjës, por ai u shpëtoi plumbave.
Për këtë atentat, sipas SPAK, shkak u bënë disa ngjarje të vjetra në qytetin e Lushnjës, mes familjeve Haxhiu dhe Bare.
Më herët për të njëjtën ngjarje janë dënuar me burg përjetë edhe Anterio Kaloshi e Orges Bilbili, dy bashkëpunetorët e Haxhiut.
Ky i fundit u arrestua rreth një vit më parë në Greqi, dhe pavarësisht se tentoi disa herë që t’i shpëtonte ekstradimit, autoritetet greke vendosën për ta sjellë në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.