Gazeta Si - Kryetari i Bashkisë së Burrelit, Agron Malaj është paraqitur mesditën e kësaj të premteje në SPAK.
Sipas burimeve, mësohet se kryebashkiaku Malaj ka qëndruar për rreth 1 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ndërsa nuk dihet arsyeja e qartë se pse Agron Malaj është thirrur sot nga prokurorët e posaçëm, dyshohet se dëshmia e tij ka të bëjë me detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Matit.
Agron Malaj është denoncuar jo pak herë nga Partia Demokratike për abuzimet me tenderët e bashkisë që ai drejton
Në qershor të vitit 2020, Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë të verifikojë mandatin e kryebashkiakut socialist të Matit, duke kallëzuar se Malaj është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Sipas Gazment Bardhit, kryebashkiaku i Matit është i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk duhet të mbajë më mandatin.
Në vendimin e dhënë nga prokurori Sokol Stojani rezulton që kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj të jetë dënuar me 10 muaj burg për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake nga Gjykata e Rrethit Mat në 7 tetor të vitit 1999.
Agron Malaj, para se te merrej me politikë, ka qene pjesë e Gardës së Republikës, po ashtu është i njohur se ka qenë në të ashtuquajturin “Grupin e Zjarrit” në ngjarjet e 21 Janarit 2011, ku u vranë 4 protestues gjatë tubimit të Partisë Socialiste asokohe në opozitë.
Pas kesaj ngjarjeje, Agron Malaj është përfshirë aktivisht në politikë me Partinë Socialiste, ku fitoi mandatin e kryebashkiakut të Matit për herë të dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.