Kosova

Konjufca: Serbia nuk ka hequr dorë nga ‘bota serbe’. Banjska, identike si pushtimi i Krimesë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit është identik me pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014.

Konjufca shtoi se as Rusia nuk ka hequr dorë nga bota ruse e as Serbia nuk ka hequr dorë nga bota serbe. Ai më tej deklaroi se trupat paramilitare serbe të mbështetura nga Serbia e synuan në mënyrë të hapur aneksimin e veriut e Kosovës dhe shtoi se Beogradi është “kryeqyteti i dytë i Rusisë brenda Evropës”.

Sipas tij, përpjekja për destabilizim në Bosnjë dhe Hercegovinë, refuzimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe sulmi terrorist në Banjskë tregojnë për qëllimin e vërtetë të Serbisë.

“Kur agresioni rus në Ukrainë ka mbushur 2 vjet, pasojat kanë ndikuar në kontinentin evropian, në sigurinë e Botës Perëndimore. Për shkak të mosdhënies se një përgjigje të vendosur ndaj Rusisë për pushtimin e Krimesë dhe trajtimin e Rusisë si partner despotik, sot e kemi një luftë në Evropë. Precedenti i luftës në Ukrainë do të ndikojnë në shekullin në vijim se si do të zhvillohet Evropa.

 Në kontekstin tonë rajonal dhe ballkanik, agresioni rus e paraqet aktin e parë të një strategjie të një destabilizini më të gjerë të Ballkanit, ku Serbia si një zgjatje e Rusisë do të ishte kapitull i dytë i kësaj strategjie. Termi bota serbe është kopjim identik i botës ruse. Sulmi terrorist qe ndodhi në Banjskë ishte një kopje identike e Rusisë. Për ata që nuk e shohin të mirëqenë krahasimin e Rusisë me Serbinë zakonisht e përmendin faktin qe Serbia po çon armë në Ukrainë por këtu anashkalohet fakti që Serbia nga ky biznes fitoi mbi 1 miliardë euro, ky nuk është donacion dhe jam i bindur se kjo është koordinuar me Rusinë.

Serbia nuk ka qenë kurrë një kështjellë me të cilën është mbrojtur demokracia perëndimore. Në këtë luftë të Ukrainës për mbrojtje të sovranitetit të vet, Serbia nuk është aleat i Ukrainës, por thjeshtë po përfiton nga kjo situatë. Serbia nuk e ka dënuar asnjëherë agresionin rus mbi Ukrainën por nuk ka pranuar as të vendos sanksione Federatës ruse. Beogradi si kryeqytet i dytë i Rusisë brenda Evropës”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë