Gazeta Si – Avokatët e Fatmir Mediut, vijonë të kundërshtojnë ekspertimin ekonomiko-financiar të procesit gjyqësor për “Gërdecin”, ku ish-ministri i Mbrojtjes është i pandehur për disa akuza.
Ndërkohë që Mediu mungon në sallën e gjyqit, në seancë në GJKKO, avokatët e tij po kundërshtojnë raportin e ekspertëve.
Henrik Ligori theksoi se demontimi i municioneve nuk është një proces që nisi dhe mbaroi me Gërdecin.
“Kemi objeksione mbi aspektin e formës dhe përmbajtjes së akt-ekspertimit ekonimiko-financiar. Ekspertët nuk e kanë pasur një cilësi të tillë. Ata e kanë pohuar edhe vetë që nuk janë ekspertë, por vetëm specialistë, që janë ftuar nga prokuroria për të dhënë një mendim, - tha një nga avokatët, Hentik Ligori. - Në këtë akt ekspertimi ekspertët janë jashtë kontekstualitetit të fakteve. Ekspertët nuk marrin në konsideratë asnjë faktor tjetër që ka ndikuar këto 15 vite në trajtimin e konkluzioneve të tyre. Demontimi i municioneve nuk është një proces që nisi dhe mbaroi me Gërdecin. Është një proces që ka ndodhur edhe para edhe pas tij”.
Sipas Ligorit, “ekspertët janë thirrur për të dhënë një mendim në fushën e shkencës dhe pëe të dhënë një mëndim shkencor. Ekspertët thonë qe procesi i demontimit në fabrikën e Poliçanit, është një proces që dilte me fitim. Atëherë nëse dilte me fitim, pse shteti në vijim vetëm ka shpenzuar dhe nuk ka fituar? Ne i qëndrojmë faktit që procesi i demontimit kishte kosto dhe humbje për shtetin. Gati 80% e pyetjeve të shtruara nga ne, ekspertët japin një përgjigje standardë, "kjo nuk ka të bëjë me ekspertimin".
Avokati i ish-ministrit shtoi se “dokumentet që ata kanë marrë në shqyrtim për aktin nuk përbëjnë as 20% të dokumenteve të nevojshme qe iu duheshin për të përpiluar aktin. Gati 50 % të përgjigjeve të ekspertëve janë përgjigje me karakter juridik, që ishte një detyrë që nuk iu takon atyre. Kam një listë aktesh ligjore e nënligjore që ekspertët nuk i kanë parë, tha avokati Ligori.
Në seancën e radhës, të caktuar më 9 tetor, gjykata do shprehet për kërkesën e avokatëve për riekspertim të pjesshëm ekonomiko-financiar dhe më pas do të debatojë akt-ekspertimin tekniko-ushtarak të paraqitur si provë në dosje.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln Lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.
Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”. Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.
Nga shpërthimi në Gërdec më 15 mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.