Drejtësia

Sekuestrohen pasuri 750 mijë euro / 37-vjeçari i dënuar në Angli për trafik droge, i kishte vënë në emër të motrës

Gazeta Si - Pasuria e sekuestruar në emër të Irma Hasanit një ditë më parë, punonjëse e Shërbimeve Qeveritare, është në vlerën e 750 mijë eurove.

Ndërsa të gjithë këto prona, 6 automjete dhe 6 apartamente, janë sekuestruar, pasi i vëllai i saj, 37-vjeçari Olsi Hasani, i kishte kaluar në emër të motrës së tij, Irma Hasani, punonjëse e Shërbimeve Qeveritare.

Me kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Tiranës firmosi sekuestro preventive të 6 pasurive dhe 6 makinave të shtrenjta.

Sipas organit të akuzës në kryeqytet, Irma Hasani, 41 vjeçe, ishte e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë dhe nuk mund të justifikonte blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Më pas nisi verifikimi dhe rezulton që i vëllai Oltion Hasani rezulton të ishte i dënuar në Angli.

Nga veprimet hetimore, dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.

Sipas burimeve paraprake, rasti i shtetasit Oltion Hasanit, një i dënuar në Angli, u sinjalizua për Prokurorinë nga krimit ekonomiko financiar, pas dyshimeve se brenda pak muajsh në llogarinë e saj u dhuruan nga të afërmit 180 mijë euro.

Dhurata e parë iu kalua motrës të të dënuarit nga ish kunati, i cili rezulton i vetëpunësuar për transport mallrash.

Në datën 2 prill ai i dhuroi të resë 40 mijë euro, duke arsyetuar kalim sipas deklaratës notariale, në një kohë që hetimi provoi që  nuk ekziston një deklaratë e tillë.

Një javë më vonë, në llogarinë e gruas depozitohet dhurata e dytë prej 90 mijë euro nga tezja e saj  dhe një muaj më pas, një person që e prezanton si mbesa, i kaloi në bankë edhe 20 mijë euro.

Shumat e tjera, sipas prokurorisë janë të depozituara cash nga 41-vjeçarja që i ka shpjeguar si kursime dhe të ardhura nga shitja e një automjeti.

Duke gjurmuar dhuratat monetare, prokuroria kërkoi sekuestron preventive të  disa aseteve dhe automjeteve  që dyshohen se janë të krijuara nga paratë e drogës.

“Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”. Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe”, - thuhet në një njoftim për mediat nga prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë