Kosova

Osmani: Vuçiç do të krijojë Krimenë në Ballkan

Aleksandar Vuçiç ka në plan të krijojë Krimenë në Ballkan. Ky është paralajmërimi që ka bërë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, por thotë se këtë po e pengon Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiç.

Osmani ka qenë e ftuar në "think tank"-un “Council on Foreign Relations” në Nju Jork ku foli për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, si dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare.

Ajo ka theksuar se bandat kriminale të kontrolluara nga Beogradi po frikësojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës, duke përmendur vrasje të politikanëve, djegie të shtëpive e metoda të tjera të frikësimit e shantazhit.

“Duke mos i lejuar serbët e Kosovës që të integrohen në institucionet e Kosovës, ata tentojnë të përdorin të njëjtat instrumente që kanë përdorur në Bosnjë e Hercegovinë. Ata tentojnë që të shkatërrojnë Kosovën nga brenda. Dhe sa më shumë që serbët e Kosovës nuk integrohen, aq më shumë Serbia do t’i përdorë “argumentet” e Putinit se ne do të mbrojmë komunitetin pakicë. Në fakt, gjithçka që u intereson është territori. Gjithçka që u intereson është që të shtyjnë përpara planet për aneksim të stilit të Krimesë derisa atyre nuk ia ndjen për të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë”, tha Osmani.

Osmani foli në lidhje me qasjen e pabarabartë që po ndjek Bashkimi Europian në lidhje me Kosovën. Ajo theksoi nevojën e koordinimit me partnerët, por vuri në dukje gjithashtu edhe qasjen me dy standarte të BE ndaj Prishtinës.

“Ajo çka shohim tani është një qasje jobalancuese nga BE. Kemi dy palë në tavolinë dhe njëra nga palët është nën sanksione nga ndërkombëtarët. Serbia në anën tjetër ka zero pasojë, duke marrë parasysh atë që bënë vitin e kaluar. SHBA e quajti një agresion sepse ashtu ishte. Vuçiç mbetet fëmija i llastuar i BE-së. Serbia ka 80 për qind simpati për Vladimir Putin. Kjo qasje është e paprecedentë. Kjo nuk na jep asnjë shans për dialogun. Shpresa jonë është që të ketë një barazi në tabelë”, deklaroi Osmani.

Presidentja e Kosovës përmendi faktin edhe të mosnjohjes së pesë vendeve të BE-së, të cilët po bëhen shkak për mosavancimin e Kosovës në proceset integruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë