Kosova

Kurti bisedon me O’Brienin dhe Lajçakun për dialogun me Serbinë

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në Nju Jork me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në takim, sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti ka biseduar me zyrtarët amerikanë dhe evropianë për çështjen e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe për “zhvillimet e fundit në vend”.

“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”, u tha në njoftim.

Kosova dhe Serbia vitin e kaluar arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme për palët pavarësisht nënshkrimit.

Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë