Kosova

SHBA ka ndërprerë trajnimet? Policia e Kosovës hedh poshtë zërat: Ruajmë partneritetin

Nga Gazeta 'Si'- Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Reagimi pasoi raportimet e disa mediave në Kosovë se SHBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.

Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm, kërkesës për koment nuk iu përgjigjën as në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aty, po ashtu, theksohet se Policia e Kosovës i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me SHBA-në.

Në një deklaratë për media, të lëshuar më 30 gusht, Ambasada amerikane tha se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë