Politike

Regjistrimi i zgjedhësve nga jashtë nuk qenka edhe aq i thjeshtë / Kushdo që dëshiron të votojë, duhet të hapë një llogari personale (projekt-vendimi i KQZ)

Nga Gazeta Si - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar projektvendimin që përcakton të gjitha hapat dhe rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë.

Fillimisht, çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim. Si konkretisht?

Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë paraqet kërkesë në mënyrë individuale për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit në Komisionin Qendror të zgjedhjeve. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton publikisht për hapjen e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit jo më vonë se 10 ditë përpara fillimit të këtij procesi.

Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER).

Zgjedhësit do t’i jepet mundësia ta shkarkojë këtë platformë si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile pa qenë i kushtëzuar nga lloji i pajisjes elektronike që do të përdorë.

Paraqitja e kërkesës në PER bëhet duke krijuar një llogari në këtë platformë nga vetë zgjedhësi. Krijimi i llogarisë dhe hyrja në të në vijim sipas rastit bëhet nëpërmjet përdorimit të 3 (tre) faktorëve.

Njëri prej faktorëve duhet të jetë biometrik me njohje të fytyrës, faktori tjetër është një kod unik i përkohshëm 6 shifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit mobil dhe email, si dhe faktori i tretë është Numri Personal i Identifikimit dhe fjalëkalimi.

Pasi ka krijuar llogarinë e tij në PER, për t’u regjistruar, zgjedhësi hyn në këtë llogari dhe ndjek disa hapa ku përfshihen kryesisht paraqitja e dokumenteve të identifikimit, cerfitikata e pronësisë apo cdo dokumentet tjetër që vërteton se është rezident jashtë, si dhe adresën e vendqëndrimit.

Më pas do të veritfikohen të dhënat e identitetit të shtetasit nga KQZ në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe, nëse ato janë të njëjta, bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGjC) regjistrimi në RKGjC i adresës së shtetasit që voton jashtë vendit në një rubrikë të veçantë.

Nëse këto të dhëna janë të sakta dhe përputhen me të dhënat që RKGjC ka për këtë zgjedhës, Platforma (PER) do t’i shfaqë zgjedhësit mesazhin se kërkesa e tij u regjistrua me sukses dhe se ai do të njoftohet për rezultatin e shqyrtimit të kërkesës së tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve brenda 5 ditëve kalendarike në llogarinë e tij në PER si dhe me email. PER i ofron mundësinë zgjedhësit që ka paraqitur kërkesën për të ndjekur/gjurmuar statusin e shqyrtimit të saj.

 Nëse këto të dhëna nuk janë të sakta, pra nuk përputhen me të dhënat që RKG RKGjC ka për këtë zgjedhës, PER do t’i shfaqë zgjedhësit mesazhin se duhet t’i saktësojë ato dhe se nuk mund të vazhdojë më tej me kërkesën për regjistrim derisa të korrigjojë përkatësisht të dhënat që PER i identifikon si të pasakta.

Në përfundim të procesit të regjistrimit të kërkesave të zgjedhësve për të votuar nga jashtë vendit, sipas afateve të përcaktuara  DPGjC nxjerr nga RKGjC listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe ia dërgon atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se 63 ditë para datës së zgjedhjeve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh nga publikimi i saj mund të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive të regjistrimit të tyre në PER.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 60 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak Vetëm pas saktësimit të këtyre të dhënave zgjedhësi do të marrë mesazhin për të pasur akses në votim.

Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore.

Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën, sipas kësaj pike, brenda 24 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës, por jo më vonë së 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit që i shtohet listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit, i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij vendimi, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë