Nga Gazeta Si - Bordi i Akreditimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ka reaguar lidhur me hetimet për skandalin e diplomave false të kolegjit universitar Wisdom, duke mohuar përfshirjen e Shqiponja Telhaj, e cila përmendet në dosje si personi që ka marrë një çantë Louis Vuitton për të bërë akreditimin e universitetit.
Në përgjimet e publikuara të dosjes hetimore, personat e akuzuar shprehen se “kanë shkuar për darkë në datë 8 Mars 2022 dhe i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton Presidentes së ASCAL”.
Bordi shkruan në reagim se Prof. Shqiponja Telhaj nuk ka ushtruar në asnjë moment detyrën e presidentes së Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), por ushtron nga korriku 2021 detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit.
“Përgjimet i referohen “Presidente della ASCAL”, ndërsa në komentet e dosjes është vënë gabimisht emri (i përkthyer) i kryetares së bordit si drejtuese e institucionit të ASCAL”.
Bordi i Akreditimit shkruan se është organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij, i ngritur pranë ASCAL. ASCAL drejtohet nga një Drejtor, ndërsa Bordi i Akredimit nga Kryetari i Bordit të Akreditimit.
“Prof. Shqiponja Telhaj ka mbajtur dhe mban vetëm detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit”.
Së dyti, shkruhet në njoftimin e Bordit, kryetarja e Bordit të Akreditimit, Prof. Telhaj jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj akademik në Mbretërinë e Bashkuar, dhe deklaron se ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar edhe në ditën kur është zhvilluar darka e pretenduar.
“ Këto fakte janë lehtësisht të verifikueshme nëpërmjet sistemit TIMS. Ndërkohë që Prof. Telhaj do ta ndjekë çështjen edhe ligjërisht për të kërkuar tërheqje dhe kërkim falje për akuzat e rreme, anëtaret e bordit dëshirojnë të ritheksojnë besimin e tyre të plotë në integritetin e saj në drejtimin e bordit”.
Gjithashtu, Bordi i Akreditimit i drejtuar nga Prof. Telhaj deklaron se deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim për akreditimin institucional të institucionit në fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.