Nga Gazeta 'SI' - Rritja e çmimeve në Shqipëri është barazuar me ecurinë në vendet e Bashkimit Europian.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit tregon se inflacioni i Shqipërisë, i matur sipas Eurostat, u regjistrua 2.4% gjatë muajit gusht, aq sa mesatarja e BE-së. Kjo e rendit Shqipërinë si një nga vendet me inflacionin më të larta. Inflacioni për të njëjtin muaj matur nga INSTAT rezulto 2%.
Ndarë sipas grupeve të shportës, rritja më e madhe e çmimeve prej 4.3% vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.6%, “Veshje dhe këpucë” me 3.5% dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3.3% secili. Nga ana tjetër, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me 2.3%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.1%, “Shëndeti” me 1.9%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.5%, “Komunikimi” me 0.6%. Ndërkohë, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1.6%.
Ndër vendet e tjera europiane, inflacionin më të lartë e ka Rumania me 5.3%, Serbia me 4.4% dhe Islanda me 4.3%. Në nivel rajoni, më mirë së Shqipëria paraqitet Mali i Zi me një normë të rritjes së çmimeve deri në 2%. Nga ana tjetër, inflacioni në Maqedoninë e Veriut vlerësohet në 3.1%.
Sipas shpjegimit të dhënë nga institucionet statistikore, inflacioni i harmonizuar sipas Eurostat mat ndryshimin e strukturës së shpenzimeve të konsumatorëve sipas produkteve, ndërsa inflacioni që matet nga autoritetet vendase mat ecurinë e çmimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.