Ngjarje

Kolegji Wisdom kundërshton MAS: Studentët do të ndjekin pa asnjë pengesë vitin akademik

Nga Gazeta Si- Kolegji Wisdom ka dalë kundër Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke thënë se vijon normalisht veprimtarinë akademike.

Ditën e djeshme, MAS deklaroi se MAS, pas procedurave të ndjekura dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar Wisdom.

“Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.

Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM”, tha MAS në njoftimin zyrtar.

Këtë e hedh poshtë Kolegji, duke thënë në njoftimin zyrtar se “Kolegji vijon normalisht veprimtarinë akademike dhe i siguron të gjithë studentët e regjistruar në KU "Wisdom" se do ta ndjekin pa asnjë pengesë vitin akademik. Stafi akademik është plotësisht i përgatitur për një fillim cilësor të këtij viti akademik”.

Në deklaratën për shtyp thuhet gjithashtu se, që nga viti 2008, kur ka nisur veprimtarinë në fushën e arsimit, Wisdom nuk ka shitur dhe nuk do të shesë kurrë diploma, as nuk ka prodhuar dokumente të falsifikuara.

Në Bari u bëri megaoperacioni, 9 persona janë arrestuar në akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh, korrupsion e pastrim parash. Gjithsej janë 41 të dyshuar, ndërsa po hetohet edhe veprimtaria e 2 kompanive me seli në Romë dhe në Foxhia.

Guardia Di Finanza Italiane ka zbuluar se nga Tirana, Qipro e Britania me mijëra diploma false janë shitur për shtetas italianë në vlerat deri në 8 mijë euro për diplomë.

Pjesë e të arrestuarve është edhe pronari i Wisdom Savino Cianci dhe administratori Leonardo Catalano.

Sipas mediave italiane, dyshja Cianci-Catalano i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro presidentes së Këshillit të Akreditimit të Agjencisë për Akreditimin dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për akreditimin e Wisdom University’.

Vetë presidentja e ASCAL, Shqiponja (Aquila) Telhaj ka reaguar duke mohuar të ketë takuar apo marrë dhurata nga personat në fjalë.

“Shqiponja Telhaj nuk ka pirë kurrë as edhe një kafe e nuk ka pranuar kurrë asnjë dhuratë nga asnjë përfaqësues i universiteteve të huaj apo shqiptare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë