Ngjarje

Plan me 10 pika për transparencën e mbetjeve, Rrjeti i Bazelit letër qeverisë: E kundërta minon besimin (letra)

Nga Gazeta Si - Organizata Ndërkombëtare që bëri publik dyshimin se Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme në mënyrë të paligjshme i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë shqiptare transparencë për testimet e mbetjeve, kur ato të mbërrijnë në Shqipëri.

Përmes një letre drejtuar Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe përfaqësueses shqiptare, përgjegjëse për zbatimin e Konventës së Bazelit për mbetjet e rrezikshme, Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit, Jom Puckett ka propozuar një plan të detajuar për testimin e kontejnerëve që po kthehen në Shqipëri nga Tajlanda.

Pak javë më parë, mbetjet e prodhuara nga Kurum-i në Shqipëri, mbi 800 tonë, u refuzuan nga Tajlanda, pasi Rrjeti i Veprimit të Bazelit paralajmëroi për rrezikshmërinë e tyre toksike.

“Ne jemi të shqetësuar se dështimi për të zbatuar një plan të mirëmenduar për pritjen e kontejnerëve dhe marrjen e mostrave të mbetjeve të dyshuara, do të çojë në teori konspirative. Mungesa e transparencës dhe keqinformimi nuk do të ndihmojnë askënd. Prandaj ne besojmë se veprimi më i mirë për qeverinë e Shqipërisë dhe qytetarët e saj është që kontejnerët të hapen publikisht dhe të merren mostrat prej tyre. Kjo do të shihet si një hap pozitiv për qeverinë për mbrojtjen e qytetarëve dhe mjedisit nga ndotja. Gjithashtu do të mbrojë qeverinë nga çdo akuzë e mundshme për mashtrim ose mungesë transparence. Një ngjarje e tillë e hapur publike do ta poziciononte Shqipërinë si një shembull pozitiv për zbatimin efektiv të Konventës së Bazelit” shkruan në letrën për qeverinë shqiptare Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit të Veprimit të Bazelit, i cili të njëjtin mesazh dha një ditë më parë në një intervistë të posaçme për Gazeta 'Si'.

Tani, me një plan konkret me 10 pika si propozim për qeverinë shqiptare, zoti Puckett thotë se zbatimi i këtij plani për testimin e kontejnerëve do të minimizojë polemikat dhe akuzat. Ai propozon që testimi të bëhet që me mbërritjen e anijes së parë Maria Saveria, e cila, siç ai konfirmoi në intervistën e fundit për Gazeta 'Si' ka mbërritur në Portin e Valencias, në Spanjë në 16 Shtator. Më pas, të kryhet i njëjti proces për anijen tjetër, e cila në 25 Shtator pritet të mbërrijë në Egjipt. 

“Ne besojmë fuqimisht se çdo testim që devijon ndjeshëm nga plani i përgjithshëm i mësipërm rrezikon të minojë besimin e publikut tek rezultatet e testeve. Ne e kuptojmë se hapat e mësipërm mund të duken të vështira, por besojmë se ato shmangin polemika të mëdha. Duke ndjekur protokollin e propozuar dhe nëse konfirmohet se mbetjet janë të rrezikshme, qeveria mund ta kthejë këtë situatë të pazakontë në një histori suksesi përmes testimit të mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme dhe asgjësimit të duhur të tyre” thuhet në letrën e Rjetit të Bazelit drejtuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës, Jim Puckett ka edhe një rekomandim të rëndësishëm për qeverinë shqiptare. Përfshirjen e Zyrës Hetimore të Bashkimit Europian OLAF, në procesin e testimit. “Rekomandojmë që Republika e Shqipërisë t'i kërkojë OLAF-it të marrë përsipër pavarësinë rolin e palës së tretë të pavarur.

Nëse OLAF nuk mund ta kryejë atë rol, Rrjeti i Veprimit të Bazelit mund të rekomandojë konsulentë të respektuar dhe neutralë të OKB-së ose OJQ jashtë vendit që munden të marrin përsipër rolin e menaxhimit të analizës së pavarur të mostrës nga kontejnerët“ thuhet në letrën për Ministren e Mjedisit. Për të gjitha këto propozime është vënë në dijeni edhe OLAF, që po heton çështjen në mënyrë të pavarur nga organet e drejtësisë në Shqipëri.

Protokolli për Testimin e Mbetjeve:

1. Të sigurohet që ngarkesa e parë e kontejnerëve të llogaritet e gjitha dhe që vulat e kontejnerëve të mbyllur të mos jenë thyer.

2. Të caktohet një datë për marrjen e mostrave dhe media, OJQ-të, vëzhgues ndërkombëtarë dhe çdo palë e interesuar të marrë pjesë në procesin publik.

3. Gjatë marrjes së mostrave, të lejohen vëzhguesit të kenë pamje të qartë të tre kontejnerëve që nuk u janë thyer ende vulat. Tre kontejnerë japin mundësi për një kampionim më përfaqësues të dërgesës.

4. Kur vulat të thyhen dhe dyert e tre kontejnerëve të hapen, duhet që mostrat të mblidhen në mënyrë të dukshme nga një specialist i trajnuar nga secili prej tre kontejnerëve dhe të vendosen në një enë të pastër qelqi. Të tre mostrat duhet të përzjehen tërësisht me një shufër të pastër qelqi.

5. Më pas, mostrat duhet të ndahen në mënyrë të barabartë në dy pjesë, njërën mostër ta marrë Ministria e Mjedisit dhe mostrën tjetër ta marrë një palë e tretë e pavarur, e përcaktuar më parë dhe që ndodhet në një shtet tjetër.

6. Qeveria duhet ta dërgojë mostrën e saj në një laborator që e ka zgjedhur ajo vetë dhe palë e tretë e pavarur duhet ta dërgojë kampionin e vet në një laborator të zgjedhur prej saj.

7. Rezultatet e secilit laborator do të bëhen publike në letrën që do të dërgojë secili prej tyre.

8. Nëse mostrat tregojnë se materialet brenda kontejnerëve janë të rrezikshëm, atëherë, ato duhet të menaxhohen si mbetje të rrezikshme.

9. Nëse riciklimi i sigurt sipas ligjit të  menaxhimit të mbetjeve nuk mund të gjendet, atëherë ato duhet të  depozitohen në një landfill të projektuar për mbetje të rrezikshme.

10. Materialet duhet të vendosen siç duhet në një kontejner të sigurt nga rrjedhjet, i krijuar posaçërisht për mbetjet e rrezikshme përpara se të vazhdohet me operacionin e riciklimit ose me trajtimin në landfill.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë