Policia në Kavajë njofton se ka arrestuar një 37-vjeçar dhe ka proceduar penalisht një tjetër person. Mësohet se 37-vjeçari organizonte llotari të palejuara, ndërsa shtetasi tjetër ishte pronar i lokalit, ku ushtrohej veprimtaria e paligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në një lokal, në lagjen nr. 6 Kavajë, viheshin baste sportive.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë organizatori i kësaj veprimtarie, shtetasi L. D., 37 vjeç, banues në Kavajë, si dhe u procedua penalisht shtetasi K. C., 45 vjeç, banues në Kavajë, pasi e kishte përshtatur lokalin e tij, për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.