Ngjarje

Fotot / Mbetjet e Kurumit mbërrijnë në Spanjë dhe Egjipt, Rrjeti i Bazelit kërkon transparencë nga qeveria shqiptare: Të bëhemi pjesë e testimit të mbetjeve

Nga Gazeta Si -Mbetjet e fabrikës së çelikut në Elbasan, për të cilat ka dyshime se janë mbetje të rrezikshme, po i afrohen Shqipërisë, por akoma nuk dihet një plan sesi do të trajtohen këtu. Drejtori i Rrjetit të Veprimit të Bazelit, që bëri denoncimin e ngarkesës, Jim Puckett i tha Gazetës "Si" se njëra nga anijet, që po kthen mbrapsht mbetjet nga Tajlanda, ka hyrë në Spanjë, në Portin e Valencias në 16 shtator.

I njohur me qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në parlament se mbetjet e eksportuara nga Shqipëria nuk ka prova se janë të rrezikshme, zoti Pucket ftoi qeverinë shqiptare ta bënte organizatën që ai drejton pjesë të testimeve që do t’u bëhen materialeve, kur anijet të mbërrijnë në Durrës.

“Aktualisht, organizata jonë nuk ka plane për të shkuar në Durrës. Megjithatë, nëse do të kishim mundësi të kishim akses në material, do të konsideronim të shkonim dhe të kishim një mostër të ndarë veç për ne, nën menaxhimin tonë për të siguruar një testim të drejtë dhe të saktë” u shpreh Jim Puckett në intervistën për Gazeta "Si", gjatë së cilës replikon me kryeministrin Rama për rrezikshmërinë e mbetjeve dhe mënyrën e papërshtatshme të ruajtjes së tyre në Portin e Durrësit.

Gazeta Si: Kryeministri Rama deklaroi në Parlament se ju nuk keni asnjë fakt që nga Shqipëria janë eksportuar mbetje të rrezikshme. Ku e keni bazuar ju deklaratën tuaj se shanset janë që 95% të jenë mbetje të rrezikshme?

Jim Puckett: E them këtë, sepse kemi mësuar se dërgesa në Tajlandë erdhi nga fabrikat e çelikut të Kurum në Shqipëri. Mbetjet janë një material kokrrizor i imët, me ngjyrë kafe. Kam fotografitë e materialit që po ngarkohej në kontejnerë (numrat përputhen) dhe që bënin pjesë në dërgesën në Tajlandë. Ka vetëm disa lloje mbetjesh pluhur që vijnë nga fabrikat e çelikut. Mes tyre edhe një mbetje, e cila është shumë e njohur, sepse prodhohet në sasi masive nga të gjitha furrat me hark elektrik, pluhuri EAF (Electric Arc Furnace), e listuar në Katalogun Europian të Mbetjeve si 10 02 07*. Simboli asterisk* është i rëndësishëm, sepse nënkupton mbetje të rrezikshme. Është shumë e vështirë të besohet se fabrika çeliku si ato me të cilat operon Kurum-i do të prodhonin sasi të tilla nga lloje të tjera mbetjesh.

Më tej, burimi konfidencial na tregoi për një dërgesë të mëparshme në Kinë. Ishte etiketuar si koncentrat i ulët i zinkut, siç quhet shpesh kjo mbetje nga personat që përpiqen ta shesin atë. Kjo dërgesë mbetjesh u refuzua nga Kina, sepse, sipas mendimit të tyre, ishte mbetje dhe jo xeheror. Ajo përmbante 8% plumb, që kualifikohet si mbetje të rrezikshme.

Ne kemi analizën e kryer nga agjentët doganorë kinezë. 8%-shi i plumbit është aq i lartë (më i lartë se pluhuri i zakonshëm EAF), saqë ne besojmë se është e mundur që mbetjet që shkuan në Kinë mund të jenë përpunuar tashmë për të hequr një pjesë nga përmbajtja e zinkut, duke lënë një mbetje që është më toksike, për shkak të përqëndrimit më të lartë të metaleve të rënda, si plumbi. Informacioni i mësipërm më ka shtyrë të them se në ekspertizën time, ka 95% mundësi që mbetjet të jenë pluhur EAF ose mbetje të pluhurit EAF, të përpunuar pjesërisht. Ne kemi deklaruar, gjithashtu, se nuk e dimë me siguri derisa të analizohet. Ajo që na habit është se askush nga pala shqiptare nuk duket se ka një analizë që tregon se nga çfarë përbëhen këto mbetje, pavarësisht se ato qëndruan në Portin e Durrësit në ajër të hapur dhe në shi. Nëse dikush ka një analizë, pse nuk është publikuar që kjo të verifikohet?

Gazeta Si: Sipas kryeministrit, mallrat e deklaruara nga të dyja ngarkesat, e Kinës dhe e Tajlandës nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as nga legjislacioni europian. Çfarë informacioni keni ju nga këto vende?

Jim Puckett: Atëherë kryeministri duhet të ketë prova se çfarë janë. A mund ta shohim analizën në mënyrë që të mund të verifikojmë zinxhirin e ruajtjes së testeve të bëra dhe që testet janë vërtet të të njëjtit material mbetjesh të eksportuar në Tajlandë dhe Kinë? Nëse, janë pluhur EAF siç besojmë ne, atëherë nuk ka dyshim se ato janë mbetje të rrezikshme, sipas përcaktimeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara dhe Konventës së Bazelit, palë e së cilës është Shqipëria.

Gazeta Si: Ka një pohim nga kryeministri, i cili thotë se "edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme, transporti i tyre në rrugë detare nuk është i ndaluar". Por, përfaqësuesi i opozitës tha se kjo ndodh vetëm kur vendi pritës është dakord me ngarkesën. Cila është praktika ndërkombëtare për transportin e mbetjeve të rrezikshme?

Jim Puckett: Shqipëria, Tajlanda dhe Kina janë të gjitha palë në Konventën e Bazelit. Vendet e Italisë, Maltës, Marokut, Afrikës së Jugut dhe Singaporit janë gjithashtu palë. Sipas rregullave të Konventës së Bazelit, nëse një aktor nën juridiksionin e një Pale të Bazelit dëshiron të eksportojë mbetje të rrezikshme, ai duhet së pari të kontaktojë qeverinë e tyre (në këtë rast Shqipërinë) dhe të marrin dakordësinë për eksportin, sepse ata duhet të binden se operacioni dhe produkti nuk janë të dëmshëm për mjedisin.

Më pas, Qeveria shqiptare, duhet të njoftojë qeveritë e të gjitha shteteve tranzit (në këtë rast të paktën ne njohim Italinë, Maltën, Marokun, Afrikën e Jugut dhe Singaporin) dhe vendin importues (në këtë rast Tajlandën dhe Kinën) dhe të marrë pëlqimin e tyre me shkrim përpara se të fillojë eksporti.

Gazeta Si: Kur anijet të arrijnë në Shqipëri, si do të kuptohet çfarë transportonin? Organizata juaj do të kërkojë të jetë pjesë e monitorimit?

Jim Puckett: Ne kemi numrat e kontejnerëve. Këto janë kontejnerët nga duhet të merren mostrat. Procedura e duhur është që të ndahen mostrat dhe të përfshihen dy palë në dërgimin e tyre në dy laboratorë të ndryshëm. Aktualisht, organizata jonë nuk ka plane për të shkuar në Durrës.

Megjithatë, nëse do të kishim mundësi të kishim akses në material, do të konsideronim të shkonim dhe të kishim një mostër të ndarë veç për ne, nën menaxhimin tonë për të siguruar një testim të drejtë dhe të saktë.

Gazeta Si: Keni pasur komunikim me institucionet shqiptare dhe nëse po, çfarë informacionesh keni marrë prej tyre?

Jim Puckett: Fillimisht morëm kontakt me autoritetin kompetent të Bazelit për Shqipërinë: Elvana Ramaj [email protected], por, pak javë pas publikimit të ngjarjes, ajo heshti. Që atëherë nuk kemi pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë.

Gazeta Si: Keni informacion ku janë tani anijet e nisura nga Kina dhe nga Tajlanda?

Jim Puckett: Herën e fundit që kontrolluam, anijet kineze po hetoheshin nga MAERSK me qëllim organizimin e kthimit të tyre në Durrës. Në lidhje me dy anijet që tani transportojnë dërgesën tajlandeze drejt Durrësit, informacioni ynë i fundit është si më poshtë: Anija MSC Maria Saveria ndodhet në brigjet e Spanjës, brenda Detit Mesdhe. Ajo ka hyrë në portin e Valencias, në Spanjë, më 16 shtator.

Anija MSC Ditte ndodhet në brigjet e Afrikës Perëndimore dhe do të shkojë në Port Said, Egjipt më 25 shtator. Nuk jemi të sigurt për oraret e mbërritjes, pasi nuk e dimë orarin e saktë dhe gjërat mund të ndryshojnë. Megjithatë, mund të jap një përditësim brenda rreth një jave, gjë që mund të na japë një ide më të mirë.

Gazeta Si: Ju keni thënë se ju keni parë procesin e ngarkimit të këtyre mbetjeve në Portin e Durrësit. Çfarë tregon për sigurinë e mjedisit?

Jim Puckett: Ne kemi pamjet nga Google Earth, të cilat duket se tregojnë ngarkimin e kontejnerëve me madhësi të vogël (20') të përdorur në këtë rast. Kemi dhe tre foto të marra nga burimi konfidencial që tregojnë se kontejnerët po ngarkohen në Portin e Durrësit, të vërtetuara nga krahasimi i pamjes së rrugës me shtyllat e dritës në port.

Ato foto na tregojnë shumë. Por më e rëndësishmja, këto pamje na tregojnë se askush nuk u interesua ose nuk u shqetësua që këtë material, të lënë jashtë, mund ta marrë era dhe ta shpërndajë ose ta marrë shiu e ta derdhë në det.

Gazeta Si: A mund të na vini në dispozicion foto ose video të ngarkimit të mbetjeve nga burimi juaj ose nga Google Earth?

Jim Puckett: Fatkeqësisht, nuk jam në gjendje që këto foto t'i bëj publike, pasi burimi nuk na dha lejen për ta bërë këtë përpara se të ndërpriste kontaktin me ne. Nga Google Earth patjetër që po.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë