Kosova

I vihet zjarri një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës në veri. Krasniqi: Sulmi, nxitje e mosdurueshmërisë etnike nga Vuçiçi

Nga Gazeta 'Si'- Një shtëpie në lagjen Kodra e Minatorëve në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - iu vu zjarri në orët e para të së martës, bëri të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Lajmin e konfirmoi edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i cili tha se zjarri është fikur nga patrulla dhe se dëme ka pësuar dera e hyrjes së shtëpisë.

“Dyshojmë se kemi të bëjmë me zjarrëvënie dhe se ky zjarr është shkaktuar nga një koktej i molotovit”, tha Elshani, duke shtuar se policia është duke punuar në ndriçimin e rastit.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se shtëpia ishte ndërtuar nga Qeveria e Kosovës, për të mbështetur kthimin e banorëve në këtë lagje multietnike.

Ai akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për, siç tha, nxitje të mosdurimit etnik.

Sipas tij, Vuçiç “ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij” dhe “ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”.

Atje, prej vitesh, kanë funksionuar struktura paralele të Serbisë.

Në fund të muajit të kaluar, autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur disa prej tyre, me arsyetimin se kanë vepruar jashtë ligjeve të Kosovës.

Ky veprim është dënuar nga Beogradi zyrtar, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila e ka cilësuar si të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Ajo kërkon nga Kosova që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës thotë se veprimet e saj kanë për qëllim shtrirjen e rendit dhe ligjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë