Shendet

Afër mrekullisë / Shkencëtarët kalojnë me sukses provën e parë të tranfuzionit universal të gjakut

Mungesa kronike e gjakut po nxit një kërkim për një sistem universal gjaku që do t'i lejonte mjekët të shpëtonin më shumë jetë. Studiuesit kanë krijuar veshje të vogla silikoni për t'i veshur qelizat e gjakut të dhuruara, duke bërë që në momentin që gjaku futet në organizëm, të mos bëhet dallimi se çfarë grup gjaku është.

Në mënyrë të pabesueshme, nanoteknologjia e re i lejoi inxhinierit biomjekësor Chuanyi Lei nga Universiteti i Teknologjisë së Kinës Jugore dhe kolegëve të transfuzonin me sukses gjakun midis specieve.

“Qelizat e kuqe të gjakut të ‘mbështjella’ jo vetëm që i shpëtojnë aktivizimit imunitar në specie të ndryshme, por gjithashtu funksionojnë në mënyrë perfekte”, shkruan ekipi në punimin e tyre.

Duke ndërtuar një shtresë silikoni për qelizat e gjakut, Lei dhe ekipi ishin në gjendje të mbulonin proteinat sipërfaqësore që trupi ynë përdor për të njohur llojet e gjakut. Kjo lejon që një grup tjetër gjaku të përdoret në mënyrë të sigurt, duke përfshirë gjakun nga një specie tjetër.

Ekipi transfuzoi me sukses këto qeliza të gjakut të njeriut të veshur me silikon te minjtë.

Pjesa më e mirë: në çdo test të deritanishëm, qelizat e mbuluara veprojnë njësoj si qelizat e kuqe të zhveshura. Membrana e tyre mbetet e paprekur, ata ende mund të notojnë nëpër plazmën e gjakut, të prodhojnë ‘karburantin’ e tyre të zakonshëm qelizor dhe të bartin oksigjenin jetik atje ku është i nevojshëm.

“Gjaku i mbështjellë ruan të gjitha funksionet thelbësore të qelizave të kuqe të gjakut, ka veti mekanike superiore, është rezistent ndaj kushteve të pafavorshme mjedisore, mund të ruhet për periudha të gjata dhe është shumë efektiv”, shpjegon ekipi.

Sigurisht, kjo teknologji e re e gjakut është ende në fillimet e saj, kështu që ka shumë sfida të tjera përpara se të përcaktohet e sigurt për njerëzit.

Ky hulumtim është publikuar në PNAS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë