Nga Gazeta Si - Sali Berisha është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për veprën penale "korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë", në lidhje me dosjen "Partizani".
Pasi u njoh me akuzën, në një seancë që zgjati rreth 23 minuta në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh për mediat pasi doli se e gjitha “është vazhdim i një hakmarrje politike”.
Sali Berisha deklaroi se është zyrtarisht “i pandehur” për ato që i konsideroi “500 faqe me mashtrime, mashtrime dhe mashtrime”.
Para mediave, Berisha deklaroi se asgjë nuk ndryshon, është një vazhdim i një hakmarrje politike dhe për të, do vazhdojë njësoj.
Ai tha me shaka se prokurorëve u ka treguar se është korruptuar nga dhëndri i tij, kur është pyetur se përse ndodhet nën akuzë.
“Dy gjëra: deklarova, se kjo është një piramidë fund e krye mashtrimi. E dyta, vizitova pjesën muzeale të 'SKAPI'-it, ku gjendej ora 400.600 euro me diamante dhuratë e Edi Ramës, gjendej Ymer Lala tek i jepte Dumanit 1 milion euro për pyetjet që nuk i bëri; gjendej Taulant Balla që po merrte shpërblimin e Suel Çelës; gjendeshin horra që shkojnë nga gjykatësi në gjykatës, duke i bërë forma të neveritshme presioni për t’i mbajtur peng ata; gjendeshin dokumentat nga Greqia të Irenës me 5 mbiemra që i ruante Dumani në kasafortë; gjendeshin 300 milionë euro të sterilizatorëve të Ramës e Beqajt; gjendeshin 300 milionë euro të Vilma Nushit; gjendeshin 4 miliardë euro të Ramës dhe Al Alabarit… Kjo është pra organizata më e rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe Europë” tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kandidojë për kryeministër, Berisha tha se pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme, do të hapë garën për kryeministër dhe kush do, mund ta sfidojë.
Ai gjithashtu u pyet nëse iu komunikua nëse do të ketë ndryshim mase ku tha se prokurorët janë “kukulla që zbatojnë urdhra dhe do bëjnë çfarë u urdhërohet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.