Nga Gazeta ‘Si’- Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut të Kosovës, Veton Elshani, është shprehur se gjithçka është nën kontroll në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, ku janë paralajmëruar bllokada nga ana e serbëve, të cilët duan që të tërhiqet Policia e Kosovës nga veriu dhe KFOR-i ta marrë nën mbikëqyrje.
Ndër të tjera, Elshani tha se nëse protestuesit tentojnë të hyjnë në Kosovë, policia është e gatshme për veprimet e mëtejshme.
“Nuk kemi informacion për numrin e protestuesve, për neve nuk është me rëndësi se sa persona janë, munden me qenë me mijëra, por janë në pjesën e tyre, nëse tentojnë të hyjnë në anën tonë, ne jemi këtu. Nuk parashikohet se do të ketë probleme në veri, e në bazë të bllokadës dhe do të veprojmë”, u shpreh zëvendësdrejtori.
Po ashtu Elshani tha se nuk janë të nevojshme të shtohen forcat e KFOR-it, pasi sipas tij gjithçka është në rregull, e kurrë më mirë s’ka qenë.
“Nuk ka nevojë për forca të shtuara të KFOR-it, pasi asgjë nuk do të ndodhë në veri, nëse tentojnë të vijnë në veri, ne këtë punë kemi, të sigurohemi që nuk kallet pika kufitare dhe i marrim masat e duhura. Gjithçka është në rregull, kurrë më mirë s’ka qenë”, tha Elshani
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.