Kosova

Kurti pret në takim kryetarin e Mitrovicës së Veriut. Diskutuan për shumëçka përveç urës së Ibrit

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me ministrat Nenad Rasiç dhe Elbert Krasniqi kanë pritur sot në një mëngjes pune kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, nënkryetaren Katarina Adanciç dhe drejtorë komunalë.

Sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kurtit thuhet se temat qendrore ishin qeverisja komunale, arritjet, sfidat dhe bashkëpunimi me nivelin qendror, nga investimet në mirëmbajtjen e rrugëve e hapësirave publike deri tek rekrutimi i stafit të ri profesional.

Ajo që vihet re në njoftimin për shtyp është mungesa e diskutimeve për një nga çështjet më të përfolura kohëve të fundit, siç është paralajmërimi për hapjen e urës mbi Ibër pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ajo të hapet tërësisht për qarkullim. Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq pikërisht Erden Atiç.

Prej disa ditësh Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, e cila ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, si hap para hapjes së saj për qarkullim.

Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.

“Kryeministri Kurti dhe ministrat Rašić dhe Krasniqi u njoftuan rreth punëve të drejtorive, shërbimeve komunale të cilat po shtohen në vazhdimësi, investimeve në mirëmbajtjen e rrugëve e hapësirave publike dhe bashkëpunimit me agjencitë qendrore.

Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut.” – thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë