Kosova

Osmani takim me ndihmës sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s: Hapja e urës në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie

Nga Gazeta 'Si'- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të enjten në një takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, me të cilin bisedoi edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe, njoftoi Presidenca.

Osmani e përsëriti gjatë takimit se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, sipas njoftimit.

“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim.

Osmani e ka cilësuar hapjen e urës si një veprim “në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë.

KFOR-i, njëlloj sikur BE-ja, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë