Kosova

Kurti kërkon hapjen e arkivave serbe: Strategjia e Millosheviçit ‘nuk ka kufomë, nuk ka krim’ po vazhdohet edhe sot

Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka kërkuar hapjen e arkivave të shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë, si dhe mbështetjen ndërkombëtare për këtë.

Ai ka cituar thënien e Sllobodan Millosheviçit “nuk ka kufomë, nuk ka krim”, strategji e cila, siç tha Kurti, po vazhdohet ende nga pasardhësit e tij politikë, të cilët refuzojnë hapjen e arkivave serbe.

“Sivjet janë bërë 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Forcat e Serbisë kryen mijëra masakra dhe zhdukje me dhunë të popullit të Kosovës. ‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e serbëve për krimet e kryera në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga pasardhësit politikë të Millosheviçit në Beograd. Këtë javë kanë filluar përgatitjet për gërmime në Serbi. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Edhe sot e përsërisim kërkesën tonë, për hapjen e arkivave, siç jemi dakorduar edhe në Bruksel”.

Ai tha se janë 1 mijë e 585 persona të zhdukur gjatë luftës.

"Për adresim të personave të zhdukur kemi rritur kapacitetet tona, kemi ngritur numrin në 41 hetues. Kemi nevojë për drejtësi që ekzekutorët të vendosen prapa grilave. Kemi nevojë edhe për mbështetje ndërkombëtare, por edhe për mobilizim kombëtar. Kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësi sepse këto krime nuk harrohen e as nuk falen", tha Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë