Një video që polici Erion Goxhara i bëri Lorenc Kostës pasi e plagosi është publikuar sot, 6 ditë pas ngjarjes së rëndë të Komuna e Parisit në Tiranë. Në videon që mendohet se është shpërndarë në media nga një prej të afërmve të Goxharës, dëgjohet se efektivi akuzon Lorenc Kostën se ai i ka mbajtur gruan 4 vite peng.
“Ti të më mbash nusen peng 4 vite dhe t’i hash lekët?! Kështu e pësojnë të gjithë ata që u hyjnë njerëzve në hak, që u hynë në familje”, thotë ai.
Polici Erjon Goxhara plagosi me armë 45-vjeçarin Lorenc Kosta, ndërsa u la në burg nga Gjykata e Tiranës disa ditë më parë. Ai shprehu pendesë për veprimin që kreu në dëm të Kostës, me profesion inxhinier në Entin Rregullator të Energjisë. Goxhara dhe avokatët e tij kërkuan masë më të butë sigurie se arresti në burg me argumentin e tronditjes së rëndë psiqike.
Goxhara po hetohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Kjo akuzë do të qëndrojë në dosje derisa të provohet nëse arma e përdorur është e shërbimit apo jo. Ndërkaq trupi gjykues ka pranuar kërkesën e avokatëve për ekspertizë të gjendjes psikike.
Disa ditë pas plagosjes, Goxhara u vetëdorëzua në polici ku deklaroi ndër të tjera se nuk kishte si qëllim për ta vrarë. Ngjarja ndodhi pasi mësoi tradhtinë e bashkëshortes së tij me Kostën, më të cilin ajo punonte në të njëjtin vend pune.
Në dëshminë e saj në polici, gruaja e Goxharës ka deklaruar se pas presioneve të vazhdueshme të të shoqit i cili sipas saj ishte fiksuar se ajo e kishte tradhtuar, ajo ia ka pranuar, por i ka thënë që ka ndodhur vetëm një herë. Më pas, sipas dëshmisë së saj, efektivi i policisë e ka ofenduar dhe dhunuar.
“Kam pasur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta. Kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për çështje pune. Prej muajit janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhtoja.
Fillimisht, pretendimet e tij për tradhti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhtoja. Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta.
Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do mi falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë”, ka deklaruar gruaja në deponimin e saj në polici.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



