Rend dhe Ligj

Dëshmia e policit Goxhara: S’doja ta vrisja Lorencin, më kërcënonte me heqje nga puna

Gazeta Si - Erion Goxhara ka treguar dinamikën e plotë të ngjarjes, ku plagosi me armën e shërbimit në rrugë Lorenc Kostën, pasi punonjësi i policisë dyshonte se gruaja e tij kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me inxhinierin e ERE-s.

Pak orë pas vetëdotëzimit te kolegët e tij në komisariat, Goxhara ka dhënë detaje mbi motivin dhe rrethanat, disa prej të cilave janë parë me dyshim për vërtetësinë e tyre nga hetuesit.

“Kam qenë në lokal duke drekuar me vajzën time, kam parë Lorenc Kostën rastësisht. Kam çuar diku vajzën dhe jam kthyer ku edhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk e kam bërë me paramendim, dhe nuk kam pasur për qëllim ta vras. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete”.

Goxhara mes të tjerash ka shtuar se është kërcënuar nga Kosta deri në largim nga puna.

“Ai më ngacmonte gjithmonë sa herë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua, sepse unë të heq nga puna. Në përballjen e fundit nuk durova më dhe e qëllova. Nuk kam dashur ta vras, prandaj qëllova poshtë. Pas ngjarjes kam telefonuar tim bir dhe e kam takuar. Ikëm bashkë me taksi për në zonën e Freskut”.

Efektivi 46-vjeçar tregon se në këtë zonë ishte “përballur me një polic civil, i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj, duke më nxjerrë armën. Unë i thashë 'më mirë vras veten sesa të dorëzohem''dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem”, i cili u vetëdorëzua në Policinë e Tiranë pasditen e të mërkurës.

Sipas verifikimeve dhe dëshmive që kanë mbledhur hetuesit, dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë një lidhje jashtëmartesore e bashkëshortes së Goxharës me të plagosurin Lorenc Kosta.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se vetë gruaja ka pranuar lidhjen me Kostën, pasi të dy punojnë së bashku te Enti Rregullator i Energjisë në Tiranë.

Diçka e tillë nuk është pranuar nga Goxharaj, i cili akuzohet për "vrasje të mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje".

Në gjendje të rënduar psikologjike, efektivi Erjon Goxhara qëlloi 6 herë në këmbë me pistoletë 45-vjeçarin Kosta. Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë