Kosova

Osmani për urën e Ibrit: S’kemi arsye për konflikt me aleatët por nuk mund të jetë çështje e bisedimeve në Bruksel

Nga Gazeta 'Si'- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në asnjë takim që ka pasur me përfaqësuesit e SHBA-së nuk i është thënë se janë kundër hapjes së Urës së Ibrit.

Mirëpo, Osmani ka theksuar se hapja e urës duhet të bëhet në bashkëpunim me aleatët, “në momentin më të volitshëm”.

Ajo ka kërkuar që plani i zbatimit të bëhet në bazë të vlerësimeve të institucioneve të Kosovës dhe aleatëve të saj, teksa ka theksuar se paqja dhe siguria e shtetit mbrohet edhe nga institucionet por fuqishëm edhe nga SHBA-ja.

“SHBA-ja asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjesht kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, ka theksuar Osmani gjatë vizitës në Komunën e Vitisë.

Osmani, ka thënë se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. Ne nuk kemi arsye të jemi në konflikt me aleatët tanë”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës brenda territorit të Kosovës, dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit.

Sipas saj, deklaratat e fundit të BE-së në këtë temë janë “raciste” dhe duhet koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.

“Sa i përket Bashkimit Evropian. Deklaratat e zyrtarëve të saj janë raciste, nuk besoj se meritojnë vëmendje nga ana ime. E kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çfarë e pyesim Serbinë", tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë