Ngjarje

‘Ik ore andej’, Prokuroria e Korçës merr nën hetim inspektorin: Nuk mori masa për të dokumentuar shkakun e vdekjes së Egli Progës

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Korçës ka marrë nën hetim shtetasin A.L. inspektor policie, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës”.

Sipas Prokurorisë, inspektori i policisë rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së Egli Progës në Pogradec.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se më datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, u gjet një shtetas i shtrirë pa ndjenja.

Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale u identifikua si shtetasi E.P. i cili u transportua në spital pa shenja jete.

“Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M.

Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar.

A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’”

Sipas Prokurorisë, veprimet hetimore paraprake të cituara më lart kanë krijuar një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, se nga ana e shtetasit A.L., janë konsumuar elementë të veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, për shkak se ky shtetas me detyrë Inspektor, Trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme, në shkelje të detyrave të tij funksionale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së viktimës edhe pse ky shkak i është bërë prezent nga dëshmitari okular i ngjarjes shtetasi A.B.

“Gjithashtu rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit.

Në këto rrethana, shtetasi i sipërpërmendur u mor në përgjegjësi penale për vëprën penale të dyshuar të kryer prej tij, për shkak se si pasojë e veprimeve të tij nuk është bërë i mundur dokumentimi real i ngjarjes së ndodhur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë