Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se urgjenca e spitalit rajonal në Pogradec, shkoi për 7 minuta në vendngjarje, ku 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën pasditen e së shtunës në Pogradec.
Në një konferencë për shtyp, pranë ambienteve të QKUM, Brataj informoi se, ekipi i mjekëve i dha ndihmën e parë Progës në vendngjarje dhe në ambulancë, duke hedhur poshtë akuzat e Jonida Progës, motrës së viktimës, që tha për mediat se vëllai i saj u dhunua dhe u la gjatë në rrugë në gjendje të rëndë, pasi ndihma mjekësore u vonua.
“Është marrë një thirrje që ka zgjatur 40 sekonda. Infermieri i vlerësimit ka kaluar të dhënat ekipit të Pogradecit në orën 19:12, në orën 19:14 ekipi është nisur drejt vendngjarjes dhe në 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Me vlerësim prej dy minutash në vendngjarje, është vendosur në autoambulancë në 19:20 dhe është nisur drejt spitalit”, tha ai.
Brataj theksoi se, “ambulanca ka mbërritur në vendngjarje për 7 minuta nga momenti i marrjes së telefonatës për ndihmë. Menjëherë kanë bërë masazh dhe ventilim dhe i gjithë misioni në total dhe situata është menaxhuar me kod të kuq traumatik për 20 minuta”, dekaroi Brataj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.